“Në librin e tij ‘Zhvillimi i Shëndetësisë në Shkodër’, Dr. Kadri Kërçiku, për kolegun e tij, Dr. Shirokën, ka shkrue…”

Nga Paul Tedeschini

Memorie.al / Çdokushi që shkruen diçka, ban pa tjetër nji punë shumë të vlefshme dhe jep nji kontribut të madh për plotësimin gjithnjë e ma tepër, të boshllëqeve të “Historisë dhe Kulturës Shqiptare”, në çdo aspekt. Do të ishte e tepërt të filloj me shkrue këtu, për qytetin 2400 vjeçar të Shkodrës, brì Liqenit, Kalasë së Rozafës, malit Tarabosh, lumit Buna dhe lumit Drin, që ka qenë kryeqendra e Ilirisë, vend-qëndrimi i mbretërve ilir, e Gentit, e Teutës, e Bardhylit, e Glaukut, e Klitit, e Agronit, etj.

Do te ishte e tepërt të filloj të shkruaj se Shkodra, edhe gjatë okupacionit turk, ka qenë qendra e vilajetit ma të rëndësishëm në trojet mbarëshqiptare, me portin në lumin Buna, qe derdhet në Detin Adriatik, port që ka qenë shumë i rëndësishëm, për Ballkanin jug-perëndimor.

E natyrisht në ketë qendër të madhe, të zhvillueme, pa tjetër ka pasë edhe nji mjekësi ma të zhvillueme, se në të gjitha trojet e tjera, të banueme nga popullsia shqiptare. Dhe asht pikërisht për këtë arsye, që Docent Dr. Kërçiku, kandidat i shkencave mjekësore, i diplomuem në Vjene dhe me nji kulturë me të vërtetë europiane, ka shkrue librin-monument shkencor:

“Zhvillimi i Shëndetësisë në Shkodër, gjatë shek. XVIII-XX (Kontribut për Historinë e Përgjithshme të mjekësisë në Shqipni)”, prej 300 faqesh, të botuem në Tiranë, në vitin 1962, i cili fillon kështu: “Mjekut të cilësuem; ‘Me duar t’arta’, mjekut ma të shquem, që lindi qyteti i Shkodrës, Frederik Shirokës (1907-1955), i cili dijen e vet, e vuni me vetmohim në shërbim të popullit, tue dhanë kontribut të çmueshëm në zhvillimin e shëndetësisë, gjatë ndërtimit të socializmit në vendin tonë, shokut të studimeve e të punës, ia kushton autori”.

Në këtë libër të Dr. Kërçikut, janë paraqitë 103 tabela statistikore, të nxjerruna me shumë durim dhe profesionalitet nga regjistra të ndryshëm, sidomos nga regjistrat e Kishës Katolike Shkodër, mbi regjistrimin e popullsisë katolike, mbi lindjet, regjistrimet dhe vdekjet, ku janë shënue edhe shkaqet e vdekjeve.

“Për shkak se për popullsinë myslimane, nuk ka pasë regjistra dhe të dhana zyrtare, – thotë autori, – atëhere konkluzionet janë nxjerrë për analogji, edhe për të gjithë banorët e Shkodrës e, rrethina me malsì”.

Ky libër ka 74 fotografi të rralla të institucioneve mjekësore, të mjekëve të huej dhe vendas, të farmacistëve të huej dhe vendas, dentistëve të huej dhe vendas dhe të personalit mjekësor në përgjithësi. Përmban po ashtu, 103 tabela statistikore, si mbas viteve, sëmundjeve, shkaqeve të sëmundjeve, moshave të të sëmurëve etj. si dhe 46 grafike të mbështetuni në këto statistika.

Po ashtu, ka listën emnore të 120 mjekëve civil dhe ushtarak shqiptar, që kan shërbye në Shkodër, si dhe vitet gjatë të cilëve ato shërbyen, listën emnore të 75 mjekëve turq civil dhe ushtarak, me shërbim në Shkodër si dhe vitet e shërbimit, listën emnore të 44 mjekëve Italian, civil dhe ushtarak, si dhe vitet e shërbimit.

Listën emnore të 20 mjekëve austriak dhe gjerman, si dhe vitet e shërbimit, listën emnore të 26 mjekëve civil dhe ushtarak, të kombësive të ndryshme dhe vitet e shërbimit, listën emnore të 94 farmacistëve shqiptar dhe vitet e shërbimit, listën emnore të 29 farmacistëve turq dhe vitet e tyne të shërbimit, listat emnore të 9 farmacistëve italian, austriak, gjerman dhe të kombësive të tjera dhe vitet e shërbimit.

Po ashtu ka listën emnore të 111 priftënve katolik, që kan qenë famullitar dhe kan ba regjistrimet në “Librin Defuntorum – të vdekjeve” dhe në “Librin Baptisatorum – të pagëzimeve”, në qytetin e Shkodrës, nëpër fshatrat përreth, si dhe nëpër malsina. Ka po ashtu dy Shtojca; mbi “Smutoren e Sckodres”, në vitin 1904 dhe atë të vitit 1905.

Ka përmbledhjen anglisht, të përmbajtjes së librit, ka dhjet faqe bibliografi, indeksin e vendeve dhe personave, si mbas faqeve përkatëse, indeksin e çështjeve si mbas faqeve, ka pasqyrën e klisheve, si dhe natyrisht edhe pasqyrën e lëndës, e cila ndahet në gjasht kapituj:

Kapitulli i parë: Përshkrimi i shkurtën i gjendje gjeografike, politike dhe shoqnore të qytetit dhe të krahinës (Ambienti gjeografik, vështrimi historik, Shkodra në shekujt XVII-XX).

Kapitulli i dytë: Lëvizja demografike e popullsisë katolike të qytetit (Mbi popullsinë e qytetit gjatë shekujve XVII-XIX, të dhana mbi lëvizjen demografike të popullsisë katolike në Shkodër, në vjetet 1757-1947: martesat, lindjet, vdekjet, mortaliteti infantil, vdekjet e fëmijëve 1-4 vjeç, vdekjet aksidentale, vitaliteti demografik).

Kapitulli i tretë: Sëmundjet epidemike në qytetin dhe rrethin e Shkodrës (Përhapja e sëmundjeve epidemike në Shkodër – vështrim i përgjithshëm, Mënyra e varrimit dhe përhapja e sëmundjeve infektive, murtaja-pestis, lija-variola, kalera-cholera),

Kapitulli i katërt: Mbi sëmundjet e tjera akute dhe kronike infektive (Fruthi-morbilli, kolla e keqe-pertussis, skarlatina-scarlatina, hardhuca-diphteria, lengjyra-typhus abdominalis, dizenteria, tifa e morrit-typhus exanthematicus, kolifiksa-tuberculosis, gerbula-lepra, malarja),

Kapitulli i pestë: Të dhana mbi historinë e mjekësisë së Shkodrës (Vështrim i përgjithshëm, mjekësia popullore në fshatrat dhe qytetin e Shkodrës, mjekët e Shkodrës, farmacistët e Shkodrës, dentistët, mamitë).

Kapitulli i gjashtë: Institucionet shëndetësore në qytetin e Shkodrës (Spitali Civil vendas, shërbimi ambulator, banjat në qytetin e Shkodrës).

Kapitulli i pestë: fillon me; Vështrimin e përgjithshëm, vazhdon me Mjekësinë popullore dhe mandej me mjekët e huej, që kan shërbye përkohësisht në Shkodër, qyshe nga shekulli i XIII e, deri tek mjeku i parë me banim të përhershëm në Shkodër, Doktor Emidio Tedeschini (1730-1800) nga Mbretnia e Napolit, i cili përmendet ndër shumë dokumenta.

I pari kontakt me ketë mjek, asht letra e tij e datës 23 nandor, drejtue Zyrës së Tregtisë së Venedikut, si dhe në librin e Pagëzimeve të Kishës Katolike, ku me datën 27 janar 1766, ai figuron në regjistrat e Kishës Katolike në Shkodër, si kumbar pagëzimi.

Ma vonë, ky mjek u transferue në Durrës, ku u emnue Konsull i Venedikut. Të bijtë e tij, farmacistët Gjuzepe Tedeschini (1782-1858) dhe Francesco Tedeschini (1785-1868), u banë ma vonë Konsuj të Pergjithëshëm të Austro-Hungarisë, për të gjithë territorin shqiptar, nën Turki.

Farmaçisti Francesco Tedeschini, krijoi lidhje martesore me familjen tradicionale farmacistësh Ashiku, në Shkodër. Thuhet se mbas Dr. Emidio Tedeschinit, ka qenë me banim të përhershëm në Shkodër, ndonjë mjek shqiptar i diplomuem në Itali, por i pari mjek shqiptar, me banim të përhershëm në Shkodër, që dihet me siguri dhe me dokumenta, asht doktori Kol Mark Suma (1768-1828) i mbiquejtuni edhe “Kol Heqimi” ose “Nikolò Medico”, i diplomuem mjek në Venecia.

Ky ka qenë i martuem në vitin 1792, me të motrën e farmacistit, Dr. Francesco Tedeschini, por pa lanë trashëgimtar. Përmbi Dr. Kol Suma-Heqimin, të vllajn e tij, Dr. Simon Sumen (farmacist) dhe pasardhësit e tij, si nji ndër familjet ma të vjetra të Shkodrës, nga e cila ka dalë mjekja, Dr. Terezina Suma dhe farmacistja, Ana Suma-Tedeschini (me diplomë në Shqipëri dhe në Itali), ka shkrue në vitin 2003, kardiologjia e njohtun Dr. Terezina Suma (Medicinae doctor), nji libër shumë interesant, prej 130 faqesh dhe me fotokopje dokumentash e, fotografi të rralla. Për mjekun, Kol Suma-Heqimi, do të shkruej nji herë tjetër. Memorie.al