Nxënësja e parë e Gegë Marubit/ Rrëfehet Luigjina Pogu nisi punën si fotografe në vitin 1952 në Studio Marubi…

E kishte pritur gjatë momentin kur do të ritakonte kujtimet e së shkuarës përmes vizitës në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, të lidhura me profesionin e saj si fotografe.

Në vitin 1952 një vajzë e re shkodrane do të niste punën në atelierin e fotografisë së Marubëve. Luigjina Perdoda Pogu do të bëhej nxënësja e parë e mjeshtrit të fotografisë Gegë Marubi dhe ndër vajzat e para që do të lëvronin fotografinë në qytet. Ajo vlerëson shumë punën e mësuesit të saj, njeriut me të cilin bashkëpunoi shumë vite në fushën e fotografisë Gegë Marubin.

Aftësia në përdorimin e mirë të dritës në momentin e shkrepjes së fotografive ishte detaji që spikaste fort në punën e Luigjinës si fotografe. Imazhi në përgjithësi apo fotografia në veçanti ka pësuar ndryshime të vazhdueshme duke iu përshtatur zhvillimeve teknologjike dhe frymës së re por njerëz si Luigjina Perdoda Pogu ishin ata që kultivuan fotografinë si një art i vërtetë fisnik duke i dhënë asaj forma të krijimtarisë artistike falë pasionit dhe profesionalizmit në këtë fushë.