OBSH: Rreth 160 fëmijë po vriten në Gaza çdo ditë…

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha sot se mesatarisht rreth 160 fëmijë po vriten çdo ditë në Gaza, ku Izraeli ka vazhduar sulmet tashmë për një muaj.

“Mesatarisht rreth 160 fëmijë vriten çdo ditë bazuar në shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë (palestineze)”, tha zyrtari i OBSH-së Christian Lindmeier në një konferencë të OKB-së në Gjenevë.

Lindmeier përsëriti “nevojën urgjente” për një pauzë humanitare për të lehtësuar vuajtjet.

Rripi i Gazës ka qenë nën bombardime që kur grupi palestinez Hamas nisi një ofensivë të befasishme kundër Izraelit më 7 tetor.

Të paktën 10.022 palestinezë, duke përfshirë 4.104 fëmijë dhe 2.641 gra, janë vrarë që atëherë. Numri i të vdekurve izraelitë, ndërkohë, është gati 1.600, sipas shifrave zyrtare.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se “Gaza po bëhet një varrezë për fëmijët”, pasi qindra vajza dhe djem po vriten ose plagosen çdo ditë.