OSHE ofron skema lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të kategorive të ndryshme të klientëve…

OSHEE Group ka prezantuar skema të reja lehtësuese për barrën e faturave të papaguara të energjisë elektrike për klientët tanë familjarë dhe jofamiljarë, buxhetorë ose jobuxhetorë.

Këto skema, të ashtuquajtuara “aktmarrëveshje”, ofrojnë lehtësim financiar dhe theksojnë përkushtimin e OSHEE-së ndaj përgjegjësisë sociale, mirëqenies së klientëve familjarë dhe komunitetit të binzesit.

Me këto skema lehtësuese, OSHEE Group, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i qëndron besnik misionin të tij, si një shoqëri aksionere me kapital shtetëror, e cila ka për qëllim kryesor përmbushjen e nevojave të shqiptarëve, stabilitetin financiar të tyre, por edhe stabilitetin financiar të kompanisë, për të operuar me eficiencë afatgjatë.

Secila kategori përfituesish ka lehtësime të ndryshme, të cilat përshkallëzohen në varësi të kategorisë së klientit dhe masës së mbartur të debisë që ka secili prej tyre. 

Masat lehtësuese janë gjithashtu të ndryshme, duke filluar nga: këstet fikse mujore për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për klientët familjar, falje ose lehtësim i kamatëvonesave në varësi të periudhës së shlyerjes dhe skema e kësteve të ndryshueshme, në varësi të masës së detyrimit për kategorinë e klientëve buxhetor dhe jo buxhetor.

Në këto skema OSHEE Group është kujdesur veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, për klientët familjarë me ndihmë ekonomike, për pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, të cilët përfitojnë këste akoma më lehtësuese dhe që shtihen më gjatë në kohë, krahasuar me kategoritë e tjera.

OSHEE fton të gjithë klientët, që duan të përfitojnë nga këto skema lehtësuese, të paraqiten në qendrat e Kujdesit Ndaj Klientit OSHEE Group dhe FSHU për të lidhur aktmarrëveshjen sipas kategorisë përkatëse.