Përmbarimi vendos nën sekuestro KF Tiranën, 3 lojtarë kërkojnë shlyerjen! Rrezikon pjesëmarrjen në Evropë

KF Tirana rrezikon licencimin nga UEFA dhe për rrjedhojë pjesëmarrjen në Evropë. Për klubin e futbollit më të titulluar në vend ka telashe të reja, pasi më 26 shkurtin e këtij viti drejtuesit janë përballur me një tjetër bllokim.

Shoqëria përmbarimore “Kullolli dhe Co Bailiff” ka vendosur “masën e sekuestros konservative në aktivet që zotëron pala debitore”, që në këtë rast është Klubi i Futbollit Tirana.

Nëse shuma për të cilën KF Tirana është debitore nuk shlyhet, atëherë sekuestro do jetë aktive.

“Depozitimin e urdhërit Nr.1766 Prot., nr.224 Prot., datë 26.02.2024, ku është urdhëruar: “Vendosja e masës së sekuestros konservative në aktivet që zotëron pala debitore shoqëria ‘Klubi i Futbollit Tirana’ SHA”, thuhet në vendim.

Historiku/ KF Tirana për të disatën herë bllokohet nga Tatimet apo Përmbarimi, kjo për shkak të gjyqeve të humbura dhe borxheve që ka me ish-lojtarët. Nëse para shkurtit ishin dy lojtarë që kërkonin pagesat e tyre, tanimë nga muaji i dytë i këtij viti janë tre emra që duhet të shlyen.

Në merkaton e janarit Tirana nuk bëri asnjë regjistrim të ri në ekip, kjo për shkak se merkato e saj është e bllokuar nga FIFA dhe nuk mund të regjistrojë asnjë lojtar të ri pa shlyer detyrimet.

Një situatë e tillë për klubin më në zë të vendit rrezikon që t’i lërë bardheblutë jashtë nga Evropa, nëse arrihet një objektiv i tillë. FIFA dhe UEFA është shumë e kujdesshme për anën financiare dhe me borxhet që Tirana ka për momentin është e vështirë që ngjyrat bardheblu të përfaqësojnë Shqipërinë në Evropë.

Nëse Asion Daja dhe Edon Hasani ishin dy lojtarët që kërkonin shlyerje, tanimë numri i tyre shkon në tre.