Përse u përplasën vëllezërit Duka me Ervis Martinaj? Zbardhet dëshmia e Ilir Selmanit…

Ilir Selmani, i dënuar me 28 vite burg si pjesëmarrës në vrasjen e Santiago Malkos, dëshmoi në procesin ndaj Leonard Dukës, Erlis Dukës e të tjerëve, të akuzuar për të njëjtën ngjarje.

Selmani këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë. Sipas tij, janë paguar mijëra Euro për të dëmtuar vëllezërit Duka.

Shkak i përplasjes mes vëllezërve Duka dhe Ervis Martinajt, sipas dëshmisë së Selmanit, ka qenë biznesi i lojërave të fatit.

Ilir Selmani: Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qira. Dreka ishte rastësore për rreth 2 orë e 30 minuta. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Bledin dhe iku. Më kërkoj Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri tek spitalet. Dëgjova diçka, por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo. Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes shikoi që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos (I drejtohet prokurorit) Çdo provë është e manipuluar nga dy oficerë policie. Ju prokuror keni thënë nga deklarimet e Blendi Tetës se jam i përfshirë, por nuk keni asnjë provë. Nuk keni bërë asnjë hetim, keni marrë prova të manipuluara nga oficerët e policisë. Janë paguar para për të penguar hetimin. Janë përgjime nga oficerët se kanë manipuluar provat. Kam materiale dhe pres provat, informacionin shkresor dhe tabulatet telefonike që provojnë se janë manipuluar hetimet.

Prokurori Behar Dibra: Shumë mirë, të inkurajojmë ta denoncosh rastin.

Ilir Selmani: Blendi Tetën e kanë marrë peng dhe e kanë dhunuar. Më keni dënuar me deklarimet e tij. E kam takuar në burgun “313” kur ishte tranzit. Më tha që e ka marrë peng Ervis Martinaj. I kanë thënë se do të të murosim. Ervis Martinaj e njoh se ka patur kompani të përbashkët lotosh me vëllezërit Duka. Arsyeja e përplasjes mes Dukajve e Martinajt ishte se ky i fundit donte t’i merrte biznesin. Po bëj burg kot, jemi të pafajshëm unë dhe shokët e mi. Prokurori ka bërë hetime të arnuara.

Vazhdon gjykimi në mungesë për pjesën tjetër të personave të dyshuar për këtë çështje. I cilësuar si kreu i klanit Duka, Leonard Duka, është i arrestuar në Belgjikë në pritje të ekstradimit të tij drejt vendit tonë. Vëllai i tij Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Manxhaku, Oltion Logu, vazhdojnë që të jenë në kërkim që nga viti 2019. Deri më tani ata nuk janë vënë në pranga nga policia.

Santiago Malko u vra pas përplasjes së “Klanit Duka” me grupin e Ervis Martinajt. Leonard Duka dhe Ervis Martinaj ishin shokë të ngushtë të cilët më pas u kthyen në armiq të përbetuar duke lënë pas shumë viktima. Përplasja e tyre erdhi për shkak të parave nga aktiviteti i lojërave të fatit. /tvklan.al