Plagosen 16 vjeçarin me thikë, policia e Shkodrës arreston dy të mitur…

Shkodër/ Plagosën me mjet prerës (thikë), një 16-vjeçar, pas një konflikti të çastit, në rrugë, arrestohen 2 të miturit të cilët nga hetimet rezultuan autorë të plagosjes.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për plagosjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit R. S., 16 vjeç, të kryer rreth orës 00:05, të datës 05.11.2023, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Vasil Shanto”, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar hetimet e thelluara për të përcaktuar plotësisht autorësinë e këtij rasti dhe për të zbardhur rrethanat e tij.

Në përfundim të veprimeve hetimore, si autorë të dyshuar të rastit, u arrestuan shtetasit A. N., 15 vjeç dhe M. M., 16 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërkaq, shtetasi R. S. vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.