Policia e Shkodres arreston 3 përsona…

Shkodër/Vijon zbatimi i masave të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

-I morën me dhunë një shtetasi, një shumë parash dhe celularin, në vitin 2022, kapen dhe ndalohen 2 vëllezërit e akuzuar për këtë rast.

-Ndalohet dhe 1 shtetas tjetër, pasi është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për vrasje nga pakujdesia të kryer në vitin 2022.

Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Malësi e Madhe kapën dhe vunë në pranga shtetasit:

Ç. S., 25 vjeç dhe Gj. S., 34 vjeç (vëllezër), të dy banues në Malësi të Madhe.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar për këta shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se më datë 29.09.2022, i kanë marrë me dhunë një shtetasi, një shumë parash dhe celularin e tij.

Gjithashtu, në zbatim të planit të masave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin Vlash Jakaj, 65 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Ky shtetas, më datë 09.08.2022, duke pastruar armën e gjahut, ka vrarë aksidentalisht nipin e tij të mitur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.