Prezantimi i parë me Shkodrën/ Ura e Bahçallekut drejt degradimit! Askush nuk po shqetësohet…

Ura e Bahçallekut në qytetin e Shkodrës po shkon drejt degradimit nga dita në ditë. Pavarësisht se ajo ka fluksin më të madh të lëvizjeve, është lënë tërësisht në harresë.Një nga objektet simbol të Shkodrës nuk ka rënë në syrin e asnjë institucioni përgjegjës.

Kjo gjë ka sjellë edhe shqetësimin e drejtuesve të mjeteve pasi automjetet e tyre nuk mund ti shmangen amortizimeve të vazhdueshme dhe trafikut.Ngadalësimi i makinave mbi urë për shkak të evitimit të gropave është ndër shkaqet më kryesore që krijohet trafik i rënduar nga hyrja e qytetit deri tek zona e Bexhistenit.Gropat e hapura në mes të rrugës që zhysin gomat e makinave, trotuaret e dëmtuara sëbashku me parmakët mbrojtës nuk i kanë rënë në sy siç duket personave që kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen e kësaj ure. Kjo urë që kalon mbi lumin Drin dhe me prurjet e mëdha të viteve të fundit ka pësuar jo pak dëmtime edhe në këmbët e saj.

Një vit më parë për shkak të përmbytjeve që përfshinë rajonin e Shkodrës për disa ditë Ura e Bahçallëkut u bllokua tërësisht për qarkullimin e mjeteve. Kjo për sigurinë e banorëve pasi ujërat e Drinit morën me vete një pjesë të urës së vjetër të Bahçallekut duke shembur kështu një urë simbol në Shkodër.