Rama krijon ministri të re, emëron Blendi Gonxhen në krye të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit…

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka emëruar ministër të Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhen, duke krijuar me këtë rast edhe një ministri të re në kabinetin qeveritar.

Në shpjegimin e tij për këtë emërim, Rama ka theksuar se lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e ekonomisë, kulturës dhe inovacionit.

Rama vë në dukje gjithashtu se nevojitet për të dalë nga kufijtë e ngushtë “tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes

Për këtë arsye, Rama tha se është nevoja e krijimit të ministrisë së re të cilën do ta drejtojë Blendi Gonxhe.

Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës.

Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standardeve europiane”, përfundon Rama.