Rrëfimi rrëqethës i Kelit nga Shkodra: Tërmeti i 45 viteve më parë më mori 5 familjarë, mes tyre gruan e fëmijët…

Share your love

Një mëngjes Pashkësh 45 vite më parë, familja e Kelit në Shkodër u zgjua, shkëmbeu urimet por krejt papritur ndodhi një fatkeqësi. 5 prej tyre humbën jetën tragjikisht në të njëjtën ditë për shkak të tërmetit të tmerrshëm të 15 prillit 1979. Keli, i  cili është një prej të mbijetuarve rrëfen në “Ka Një Mesazh  Për Ty” nga “E Diela  Shqiptare” në Tv Klan orët e agonisë së tragjedisë që i mori familjen.

Keli:Në datën 15 prill 1979 në rrethin e Shkodrës ka rënë  një tërmet i rëndë, 6.7 ballë. Aty në fshatin tonë, e ka rrafshuar komplet fshatin, i ka rrafshuar të gjitha shtëpitë në tokë. Prej këtij fshati kanë qenë 15 viktima atë ditë. Ndër 15 viktima, 5 viktima kanë qenë të familjes time.

Ardit Gjebrea: Në çfarë ore ndodhi?

Keli: Ka qenë ora 7 e gjysmë, mëngjes.

Ardit Gjebrea: Ju ishit zgjuar?

Keli: Po, ishim zgjuar. Ne kemi qenë një  familje e madhe prej 17 vjetësh. Atë ditë, se unë jam katolik, ne besojmë, atë ditë për ne ka qenë një festë, e diela e Pashkëve. Kooperativa bujqësore e ka bërë aksion atë ditë, të dilte gjithë populli në punë, mos të merrej më shumë se ashtu ka qenë sistemi.

Ardit Gjebrea: Pra  atë ditë sistemi i asaj kohe që ju mos të festonit e bëri ditë aksioni që ju të shkonit në aksion dhe të punonit. Ndërkohë ju u zgjuat në mëngjes, i bëtë urimet e festës apo jo?

Keli: Atë ditë, e kishim zakon që të çoheshim në mëngjes të tërë, të hanim mëngjesin dhe pasi të hanim mëngjesin të gjithë, u çuam, u nisëm për të dalë. Pa dalë nga shtëpia, ia filloi tërmeti. Valët e tërmetit ishin jashtëzakonisht të rënda. U shemb shtëpia dykatëshe, u këput muri gjysmë metër mbi tokë dhe u hapën përjashta. Unë isha në kuzhinë me gjithë grua e dy fëmijët, kisha edhe dy pleqtë aty. U çova në këmbë, kapa gruan, gruaja djalin e vogël në krah, kapa djalin e madh për dore për të dalë jashtë, s’kishim ku të dilnim këtej dhe valët e tërmetit ishin kështu (bën shenjë përpara) se trupi i njeriut shkonte sipas valëve. Si përfundim, tavani ra kati i dytë mbi katin e parë, na zuri nën të, s’mundeshim të dilnim, si përfundim u kthyem përmbys e na zuri  komplet brenda. Unë për sekonda s’mundesha të merrja frymë se kur s’mundesh të frysh barkun nuk mundesh të ngopesh me frymë, isha duke dhënë shpirt. Kisha gruan përkrahu, djalin e vogël, djalin e madh, ishim shtrirë të tërë. Në këtë kohë trupi im ishte më lart se trupi i gruas dhe aty ku ishte gruaja  ishte më lirshëm, nuk kishte peshën time.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishin fëmijët e tu?

Keli: Djali i madh ka qenë 4 vjeç e gjysmë, i vogli 8-muajsh, gruaja 25 vjeçe. Në këtë kohë, unë s’mundesha të flisja, isha duke dhënë shpirt. Flet gruaja, “aman Kel, mundesh të bësh diçka të dalim  jashtë se mbaruam me gjithë fëmijë?” Zoti i madh atje se çfarë bëri nuk e di, veçse kur foli kjo më foli zemra mua, i thashë vetes u thyen binarët, u larguan gurët, la zhavorrin brenda, kam nxjerrë krahët, jam munduar të dal jashtë, e kam nxjerrë trupin me zor. Unë duke dalë dhe zhavorri e guri duke hyrë në vendin tim. Kur dola unë jashtë ia bëra më keq kësaj, u mbyll komplet e u bllokua kjo brenda.

Ardit Gjebrea: Gruaja?

Keli: Gruaja.Me shumë mundim, pasi doli jashtë Keli shihte vetëm gërmadha e shkatërrim. Nën to do të zbulonte edhe humbjen e paimagjinueshme.

Keli: Vëllai kishte marrë për të dalë jashtë prej derës tjetër, e kishte zënë muri jashtë. Djali i vëllait,  e kemi gjetur te dera, e kishte kapur në krah dhe kishte rënë me gjithë djalin në krah, muri sipër, e gjetëm në oborr jashtë.

Ardit Gjebrea: Ti e humbe edhe gruan, edhe dy fëmijët?

Keli: Gruan e dy fëmijët. Madje djalin e madh e kanë gjetur shokët, tërë atë kuzhinën e kanë marrë  me lopatë në atë kohë, ka qenë 1 metër gur e rërë. Ai më kishte ikur mua prej dorës, kishte shkuar të hynte në një derë tjetër për të hyrë në shtëpi të madhe. Aty e kishte zënë, aty kishte mbetur dhe s’e kemi gjetur deri në orën 12. Në orën 12 e kanë gjetur ata shokët.Keli shton se për vite e kaploi ndjesia e fajit që ai kishte mbijetuar por jo fëmijët e tij./tvklan.al

Share your love