Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore” dhe AGJENDA e Zelensky-t, ja çfarë do të ndodhë për 2 ditë në Tiranë…

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) ka zbritur në Tiranë mbrëmjen e së martës (27 shkurt). Në vizitën e parë të presidentit ukrainas në Tiranë, në një kohë kur vendi i tij luftohet nga Rusia, Presidenti do të marrë pjesë në Samitin që mbahet këtë të mërkurë(28 shkurt) në fokus të të cilit është lufta dhe mbështetja për Kievin.

Zelenski u prit në aeroportin e Rinasit nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani i cili e konsideroi vizitën e preisdentit ukrainas, si një moment kyç për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të qëndruar në solidaritet me Ukrainën në luftën e sja heroike kundër agresionit rus.

“I nderuar për të pritur në Tiranë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Ky është një moment kyç për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të qëndruar në solidaritet me Ukrainën në luftën e saj heroike kundër agresionit rus”, shkruan Hasani në rrjetet sociale.

Takimet

Sakaq, ditën e sotme do të mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, ku Zelenski është bashkëorganizator së bashku me Kryeministrin Edi Rama.

Por para nisjes së punimeve të samitit, sipas axhendës zyrtare, në orën 09:00 presidenti Zelenski do të mikpritet nga Rama në Kryeministri ku do të zhvillojë një takim “kokë më kokë”.

Më pas do të zhvillohet takimi bilateral mes dy delegacioneve ku në orën 10 do të firmoset marrëveshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Në orën 11:30 kryeministri Rama dhe Presidenti ukrainas, Zelenski do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit të “Ukrainë – Europa Juglindore”.

Ndërkaq, në orën 13.30 parashikohet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.