Sekuestrohet kompania e fluturimit ‘Air Albania’…

Share your love

Kompania ajrore Air Albania, flamuri dhe krenaria e Shqipërisë siç e quan kryeministri Edi Rama, është vendosur në sekuestro për shkak të borxheve të papaguara. Vendimi i siguruar nga TVA, është marrë nga përmbaruesi gjyqësor privat Eion Llalla, pasi në Qëndrën Kombëtare të Biznesit është depozituar një shkresë ekzekutimi nga zyra përmbarimore Bailiff Services Albania. Kjo e fundit kërkon shlyerjen e plotë të borxheve.

Sekuestro mbi kuotat është vendosur për llogari të Sinan Isik, ish numrit 2 të Air Albania. Isik ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Air Albania nga gushti i vitit 2018 deri në fund të vitit të kaluar.

Nuk dihet se sa është shuma e borxheve që Air Albania ka ndaj Isik, por në urdhrin e sekuestrimit të aksioneve thuhet se kompania nuk ka paguar detyrimin edhe pas njoftimit zyrtar.

Gjendja financiare e Air Albania, një kompani ku 10 për qind e aksioneve zotërohen nga shteti shqiptar, mbetet e panjohur për publikun.  Bilanci i fundit i publikuar i Air Albania është ai i vitit 2018, ndërkohë që nuk dihet se me çfarë financohet kompania dhe kush janë pasojat financiare, për aksionet publike të mbajtura nga Albcontrol.

Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje mes disa çështjeve të tjera të nxehta, por nisma u bllokua nga mazhoranca.

Financat e krenarisë dhe flamurit janë në terr të plotë, veçanërisht me vullnetin e qeverisë. Dhe tani mbi të po bien urdhrat e sekuestrove.

Për këtë krenari, kryeministri nuk ka kursyer as sponsorizimimet e personazheve VIP, të cilët e reklamojnë në rrjetet e tyre sociale si kompaninë më të mirë dhe më ekonomike për udhëtim.

Por qartazi, çdo gjë e thënë deri më tani ka qenë thjesht një propagandë e radhës, për të treguar të mirat që na vijnë nga kjo qeveri me ngritjen në ajët të “Naim Frashëri”, “Migjeni” dhe “Lasgush Poradeci”. Por tashmë që kjo kompani ajrore është vënë në sekuestro, qytetarët që mund të kenë rezervuar ndonjë udhëtim me Air Albania, ende nuk kanë informacion se çfarë do të bëhet me ta./TVA/

Share your love