Shëngjini dhe Velipoja ‘bashkohen’ këtë muaj – Ndreu: Projektet e reja përmirësojnë turizmin…

Share your love

Brenda muajit dhjetor pritet të hapet rruga Shëngjin-Velipojë dhe ajo Balldre, duke i dhënë frymëmarrje turizmit. Kryetari i bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu ka thënë në SCAN live se janë një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturë si ajo në dalje të Shëngjinit prej Kunës tek Hidrovori, investimi që lidh plazhin e Tales, apo dhe rehabilitimi i 200 km rrugë rurale, të cilat do të sjellin lehtësi gjatë sezonit turistik. Sfidë sipas Ndreut është zgjidhja e problematikës së furnizimit me ujë të pijshëm si dhe rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza.

“Është miratuar projekti për ujërat e zeza në Shëngjin dhe Lezhë në vlerën e 16.1 milionë euro nga KFV. Me qeverinë, jemi në kontakt për ndërtimin e ujësjellësve, duke mbyllur problematikën e furnizimit me ujë dhe ndërhyrjen në disa akse rurale. Kemi disa investime për rrugën në dalje nga Shëngjini -Kunë tek Hidrovori, investimi që lidh plazhin e Tales etj. Këtë muaj hapet rruga Balldre dhe do vazhdojë aksi që lidh Shëngjinin me Velipojën, duke i dhënë frymëmarrje qarkullimit gjatë sezonit turistik’’- tha Ndreu.

Bashkia Lezhë ka fituar 11 projekte të rëndësishme sipas kryebashkiakut Ndreu, ku 400 mijë euro kanë shkuar për ndriccimin publik që ka marë  certifimin e parë si bashki me flamurin blu nga BE, çka do të thotë treg turizmi i konsoliduar. Ndërkohë, Ndreu ka folur edhe për procesin e rindërtimit, i cili pritet të mbyllet vitin e ardhshëm duke përfshirë 40 banesa individuale, 16 apartamente dhe 1 pallat. Sa i takon kampit të refugjatëve si një marrëveshje që është nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, Ndreu nuk ka dhënë komente, duke thënë se nuk ka tagër.

SCAN

Share your love