Shkodër/ Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra penale të ndryshme…

DVP Shkodër/Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra penale të ndryshme.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident në lagjen “Partizani”, informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, për shtetasen B. M., 36 vjeçe, banuese në Shkodër, drejtuesja e automjetit që dyshohet se ka aksidentuar shtetasin E. K., që lëvizte me biçikletë, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. K., 66 vjeç, banues në fshatin Dobraç, pasi ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe për pasojë është dëmtuar vetë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. H., 50 vjeç, banues në Shkodër, pasi ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, në celularin e tij, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.