Shkreli: E gjithë administrata shtetërore është pushim, Ndërmarrja “private” Ujësjellës Kanalizime Shkoder është në punë…

Sot, ndërkohë që gjithë administrata shtetërore është pushim, administrata e Ndërmarrjes “private” Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkoder është në punë.

Ky është skandal dhe duhen marrë masa për diskriminin që u bëhet punonjësve të administratës. Ndërkohë që sot, me vendim të Këshillit të Ministrave I datës 22.11.2023 e gjithë administrata shtetërore është pushim, administratori I Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime, Mark Molla, ka detyruar të gjithë administratën të dalë në punë, vendimin personal të tijin ia ka komunikuar punonjësve në mbledhjen e së premtes.

Ky është dhunim dhe diskriminim I pastër që I bëhet punonjësve të shtetit dhe për këtë duhet reagim pasi punonjësit nuk janë skllevër por shtetas të Republikës së Shqipërisë me të drejta të barabarta me të gjithë punonjësit e tjerë.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime si ndërmarrje shtetërore e ka detyrim të zbatojë vendimet e Këshillit të Ministrave dhe jo të veprojë në bazë të urdhrave personal të një njeriu, qoftë ky edhe administratori. Kjo është shkelje e pastër e vendimeve qeveritare dhe e të drejtave të punonjësve, të cilët sot do duhej të ishin pushim sikurse të gjithë punonjësit e administratës shtetërore!

Kush përgjigjet për këtë të drejtë që I është shkelur punonjësve duke I detyruar me kërcënim të dalin në punë? Ku është qeveria që nuk reagon? Ku është kryetari I Bashkisë që e lejon një shkelje të tillë që I bëhet punonjësve?

Kjo nuk është parë e dëgjuar asnjëherë…Kjo është Rilindja që ka grabitur Shkodrën, Rilindja e paraardhësve komunistë që dhunojnë e kërcënojnë me vënde pune punonjësit e shkretë. Kjo nuk është e drejtë, ky është diskriminim dhe ky fakt kërkon reagim dhe penalizim për përgjegjësin e këtij diskriminimi që I është bërë sot punonjësve të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime!