“Shkrirja” e “Migjenit”, Sindikata e Artistëve: Do të ketë më shumë mbështetje artistike dhe financiare…

Sekretari i përgjithshëm i Sindikatës së Pavarur të Artistëve, Julian Kazazi, ka zhvilluar një takim me drejtues të Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Pas lajmeve për “shkrirje” të këtij institucioni, sindikata ka nxituar të marrë informacione e duhura, sidomos lidhur me punonjësit e tij, aktorët, artistët dhe “prapavijën” e “Migjenit”.

Pas këtij takimi, Kazazi ka dalë para mediave ku ka nënvizuar se asnjë nga punonjësit nuk do të preket, nuk rrezikon vendin e punës përkundrazi, do të ketë më shumë mbështetje ndaj artistëve. Ai u ka dhënë garanci publike punonjësve se nuk do të preken nga ndryshimi i pritshëm struktural i institucionit të rëndësishëm.

Sipas Kazazit, i vetmi ndryshim do të jetë rritja e pagës me 30% por edhe mbështetja më e madhe financiare e artistike për Teatrin “Migjeni”. Siç dihet, buxheti për artin e kulturën në Shkodër këtë vit do të jetë 50% më i lartë se 2023- i.