Shoferi i ambulancës së spitalit të Shkodrës, organizatori i trafikut bashkë me vëllanë. Si u kthye tuneli i diktaturës ‘strehë’ për drogën çokollatë…

Share your love

Nazmi Malaj, 42-vjeçari që është një shofer ambulance pranë spitalit të Shkodrës, sëbashku me vëllain e tij Basri Malaj 37 vjeç janë të dyshuar si organizatorët kryesor të një tentative për trafikimin e lëndëve narkotike. Një ditë më parë policia vendore e Shkodrës bëri të ditur finalizimin e një aksioni në kuadër të operacioneve kombëtare “Territor i Pastër” dhe Tempulli 2” duke sekuestruar afro 100 kg drogë. 65.5 kg ishte marijuanë e prodhuar në formë çokollate e gatshme për treg dhe pjesa tjetër 31.5 kg kanabis në formë boçe u gjet në një furgon në afërsi të të njëjtit vend. Dy vëllezërit Malaj sipas policisë janë të dyshuar si personat që ishin në krye të kësaj veprimtarie kriminale ndërsa mendohet se është një rrjet kriminal shumë më i gjerë se kaq me persona të tjerë të përfshirë për të cilët policia po heton.

STAMPA NË DROGËN ÇOKOLLATË, KUSH E PRODHON?
Stampa në drogën në formë çokollate që është një gjethe kanabisi nuk është rasti i parë që evidentohet nga policia e Shkodrës. Më 6 dhjetor të 2023 policia arrestoi 26-vjeçarin Ragip Gila pasi në banesën ku jetonte iu gjetën sende që përdoreshin nga grupe kriminale për vepra të ndryshme në Shkodër si jelekë anti-plumb, maska, paruke, armë e municion dhe sasi të lëndëve narkotike. Në operacionin e 6 dhjetorit të koduar “Imazhi Fals” policia gjeti lëndë narkotike kanabis po në formë çokollate e cila ka të njëjtën stampë me sasinë e drogës prej 65.5 kg që u gjet në tunelin që dyshohet se përdorej nga vëllezërit Malaj. Duke qenë se stampa është e njëjtë në dy raste policia ka dyshime se kjo sasi e drogës në formë çokollate që furnizon grupet kriminale apo individë në Shkodër është e njëjta dorë.

Dyshimet e policisë janë se kjo sasi droge vjen nga Fushë Kruja dhe se mund të prodhohet aty. Nga hetimet e deritanishme rezulton se prodhimi bëhet në Fushë Krujë duke furnizuar më pas grupet kriminale në Shkodër apo qytete të tjera dhe duke vendosur kështu në treg një markë me stampën përkatëse njësoj si në kartelet kolumbiane të drogës të cilët kanë emrat e koduar, markat dhe stampat e tyre të drogës përmes të cilave njihen dhe identifikohen në botën e krimit. Ndërkohë ajo që dyshohet është se droga që u gjet e përpunuar do të transportohej drejt Malit të Zi me destinacion më pas vendet e BE. Nga detajet e marijuanës në formë çokollatë, nisur nga paketimi, prodhimi apo edhe forma tregon se ata që e prodhojnë kanë një kohë të gjatë në treg duke ofruar një mall që mes grupeve kriminale quhet “cilësor” dhe i kërkuar në treg. Fushë Kruja është kthyer në një bazë për grupet kriminale dhe shpesh herë policia e shtetit ka ndërmarrë aksione të ndryshme në atë zonë.

TUNELI I STREHIMIT I DIKTATURËS QË U KTHYE NË MAGAZINË DROGE
Dy vëllezërit Malaj kishin përshtatur një tunel strehimi ekzistues që nga koha e Enver Hoxhës në lagjen “Skenderbeg” duke e përshtatur si magazinë për lëndën narkotike. Tuneli nëntokësor në afërsi të spitalit rajonal të Shkodrës sipas burimeve sapo kishte nisur që të punohej për ta pastruar dhe për ta hapur me qëllimin për ta kthyer në një magazinë droge. Dy dalje të këtij tuneli që lidhen me zona të tjera të Shkodrës, policia i gjeti të bllokuara. Një dalje ishte e mbushur me dhe ndërsa tjetra ishte blinduar me një derë të fortë betoni e cila ka qenë e pamundur për t’u hapur. Ky tunel që prej vitesh nuk ishte përdorur, ndodhet jo shumë larg rrugës kryesore të spitalit në qytetin e Shkodrës dhe po ashtu në një zonë të banuar.

Drejtori i policisë vendore të Shkodrës Edmond Sulaj bëri të ditur se ky aksion u finalizua pasi është siguruar informacion për një tentativë për trafikim të një sasie të konsiderueshme e dyshuar marijuanë të përpunuar në formë çokollate dhe në formë boçeje. Efektivët ndërhynë në lagjen “Skënderbeg”, në tunelin e përshtatur për të fshehur lëndën narkotike dhe gjatë kontrollit në tunel kanë gjetur dhe sekuestruar 65.5 kilogramë marijuanë të përpunuar në formë çokollate. Në vijim të operacionit në brendësi të një automejti tip furgon të parkuar afër të këtij ambienti, u gjetën dhe u sekuestruan 31.5 kilogramë kanabis në formë boçe dhe një sasi municioni luftarak. Në momentin e ndërhyrjes nuk janë kosntatuar personat e dyshuar por nga hetimet paraprake është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve si autorë të dyshuar të këtij rasti dhe konkretisht dy vëllezërit Nazmi Malaj dhe Basri Malaj, lindur në fshatin “Ura e Shtrenjtë” dhe banues në Shkodër, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre. Po nga hetimet rezulton se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe një grup personash të tjerë dyshohet se janë implikuar në aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së kanabisit në qarkun e Shkodrës.

TUNELI NGJITUR ME POLICINË USHTARAKE
Tuneli nëntokësor ku u gjet sasi e drogës nga policia e Shkodrës është ngjitur me godinën e policisë ushtarake. Toka që është një pronë private, e mbuluar me shkurre e barishte ndahet vetëm nga muri rrethues me godinën e policisë ushtarake të Shkodrës. Në momentin kur efektivët ndërhyjnë në pamjet e shpërndara nga uniformat blu duken llampat e ndezura të policisë ushtarake si dhe muri që ndan policinë ushtarake nga toka në të cilën ndodhet tuneli ku u gjet droga.

SI NISI OPERACIONI PËR DROGËN ÇOKOLLATË
Sekuestrimi i afro 100 kilogramëve drogë nga policia erdhi pas një hetimi të mëparshëm dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative nga komisariati i policisë Vau Dejës të cilët arritën të zbulojnë këtë bazë të lëndës narkotike në tunelin nëntokësor. Tri ditë më parë policia kreu një tjetër aksion droge duke finalizuar operacionin e koduar “Ngarkesa”. Efektivët e Shkodrës vendosën në pranga katër persona pasi dyshohen si autorët e 900 kubikëve dhe vazo me fidan kanabisi që u gjetën në një furgon me qëllimin transportimin për kultivimin e tyre. Policia arrestoi shtetasin Nazmi Ndrejaj, 24 vjeç, Nail Ndrejaj 26 vjeç, vëllezër dhe shtetasit Safedin Lumaj 21 vjeç dhe Ismet Lumaj 30 vjeç edhe këta vëllezër dhe të gjithë banues në Shkodër. Arrestimi në flagrancë i 24 vjeçarit Nazmi Ndrejaj u bë në aksin Shkodër-Hani Hotit ndërsa tre të tjerët dyshohen si bashkëpunëtorë të tij të cilët monitoronin rrugën ku kalonte furgoni. Sipas burimeve dyshohet se katër të arrestuarit tri ditë më parë mund të kenë lidhje me dy vëllezërit Malaj dhe policia po heton nëse janë i njëjti grup kriminal.
Shefi i krimeve në komisariatin e policisë Vau Dejës, komisar Saimir Rrustemi pas këtij operacioni ku kishte peshën kryesore reagoi teksa shkruan “Për të luftuar krimin e organizuar, nuk mjafton vetëm entuziazmi, ndershmëria, zgjuarsia apo trimëria e individëve të veçantë, që shteti ka caktuar në ballë të kësaj lufte. Për ta realizuar me sukses, në rradhë të parë duhet një lëvizje kulturore e shoqërisë, duke filluar nga mendimet që kemi sicili nga ne, duke refuzuar çdo të mirë individuale që na e ofron krimi, të ardhurat, rekomandimet apo vendet e punës që ndërmjetëson ai. Është një detyrim që kemi ndaj vendit tonë. Zoti na ndihmoftë”, shkruan komisar Rrustemi.

51 MIJË FIDANË KANABIS NË 4 MUAJ NË SHKODËR
Drejtori i policisë së Shkodrës Edmond Sulaj në konferencën për shtyp të një dite më parë tha se gjatë javës së kaluar gjatë kontrollit të territorit me mjete të kalueshmërisë së lartë me pajisje logjistike, kryesisht dronë të cilësisë së lartë, është bërë i mundur evidentimi i 11 rasteve të tentativave për të kultivuar kanabis në vende të ndryshme të territorit të qarkut Shkodër. Për 11 raste janë evidentuar dhe asgjësuar 19300 fidanë kanabis të kultivuar në kubikë, vazo dhe në tokë, në Malësi të Madhe, Vau i Dejës, Njësitë Adminsitrative të Bashkisë Shkodër, dhe janë sekuestruar 2160 fara kanabisi, nën drejtimin edhe të SPAK në disa raste. Ndërkohë drejtori Sulaj tha se gjatë katër mujorit të parë të këtij viti janë evidentuar dhe asgjësuar rreth 51 mijë fidanë kanabis, baza logjistike për rastet e evidentuara, janë sekuestruar rreth 10 mijë fara, 170 kilogramë kanabis, e sende të tjera që shërbenin për kultivim, dhe prodhime shitje të tij. Janë arrestuar, ndaluar e proceduar 61 shtetas ndërkohë që vijojnë hetimet e thelluara për dhjetëra shtetas të tjerë dhe grupe kriminale për rastet e evidentuara gjatë kësaj jave. Drejtori Sulaj i bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të drogës për të mbajtur sa më të sigurt fëmijët e tyre si dhe i bëri thirrje banorëve në zonat malore ku kultivohet zakonisht kanabisi që të mos bashkëpunojnë me grupet kriminale dhe për çdo rast të njoftojnë policinë./balkanweb/

Share your love