Shpallet tenderi për hyrjen e Shkodrës…

Bashkia Shkodër pritet që të nisë shumë shpejt procedurat për projektin e hyrjes së qytetit të Shkodrës. Një gjë të tillë e bëri të ditur kryebashkiaku Benet Beci duke e cilësuar si një lajm të mirë për transformimin e infrastrukturës në qytet. Beci bën të ditur se tashmë është avancuar edhe sa i përket shpalljes së tenderit për hyrjen e Shkodrës dhe brenda pak ditësh do të mësohen edhe detaje të tjera rreth këtij projekti të shumëkërkuar nga shkodranët.

Hyrja e Shkodrës është aktualisht një prej problemeve më të mëdha që ka qyteti. Shpesh herë bllokohet për shkak të trafikut rrugor nga automjetet duke u kthyer në një bezdisje për turistët e huaj për edhe vendasit. Edhe më përpara kryetari i bashkisë Benet Beci ka premtuar se një prej projekteve kryesore që do të kërkojë është pikërisht transformimi i hyrjes së Shkodrës duke paraqitur edhe projektin konkret. Pas shpalljes së tenderit për këtë projekt pritet që të nisë puna për të përmbyllur procedurat dhe më pas për të ndërhyrë konkretisht me nisjen e punimeve deri në pranverën e vitit të ardhshëm.