SHQIPTARI QE NDERTOI UREN MADHËSHTORE NGA DASHURIA PER GRUAN E TIJ…

Nga Ardian MUHAJ

Ura e Pashait e ndërtuar në vitin 1690 është një nga qindra urat e gurta të ndërtuara në trojet shqiptare dhe në Ballkan përpara shek. XIX. Është një nga urat më të gjata dhe më madhështore të ndërtuara në Ballkan dhe përveç kësaj ndërtimi i kësaj ure ka një domethënie të veçantë.

François Pouqueville në vitin 1826 e përshkruan urën madhështore ashtu sikurse edhe historinë e pazakontë të ndërtimit të saj. Ai thotë “kaluam lumin përmes urës së gurtë me 5 harqe, secili me një madhësi të ndryshme. Një mbishkrim i gjatë në osmanisht thotë se është ndërtuar nga një vali i Rumelisë për të falënderuar Zotin, sepse gruaja e tij kishte shpëtuar mrekullisht nga ujrat e lumit.”

Ura e pashait e ndërtuar mbi lumin Aliakmon, lumi më i gjatë në Greqinë e sotme, është shembë në 2 prill të vitit 1941 gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk është rindërtuar apo restauruar më. Rrënojat e asaj ure madhështore dhe me një histori të tillë mund të shihen edhe sot ndërmjet Siaticës dhe Grevenasë në Greqinë e sotme.

Po kush ishte ndërtuesi i saj? Dokumentet dhe mbishkrimi dëshmojnë se ura është ndërtuar në vitin 1690. Bejlerbej ose vali i Rumelisë në këtë kohë ishte shqiptari Xhafer Pasha, i cili ishte gjithashtu edhe një nga figurat kryesore që në këtë periudhë të turbullt pengoi hedhjen në erë të Akropolit të Athinës nga forcat venedikase dhe që rimori Vlorën nga venedikasit, por për fat të keq nuk mundi ta parandalonte hedhjen në erë të Kaninës prej tyre.