Si u kthye 1 Maji në ditë feste nga shteti komunist?…

Bashkë me këtë datë u shpikën dhe shumë data të tjera përkujtimore dhe festive për të zëvendësuar festat tradicionale fetare të festuara nga shoqëria shqiptare.

Të gjitha festat e reja kishin karakter të dendur politik, duke humbur karakterin shpirtëror dhe popullor të festave fetare. Festat e Pashkës, Krishtlindjes, Bajramit, Muaji i Ramazanit etj. do të fshiheshin nga kalendarët e familjeve dhe vendin e tyre do ta zinin: 11 janari si Festa e Republikës, 8 nëntori si dita e themelimit të PKSH, 1 maji si dita e solidaritetit ndërkombëtar të punonjësve dhe 29 nëntori si festa e çlirimit.

Raporti i festave me karakter shoqëror e fetar kundrejt atyre me karakter politik bëhet më i qartë nëse i rendisim të gjitha: 1 Janari – dita e vitit të ri, 7 marsi – festa e mësuesit, 8 marsi – festa e gruas, 25 prilli – dita e kufirit, 5 maji – dita e dëshmorëve, 10 korriku – festa e ushtrisë, 1 qershori – festa e fëmijëve etj.

Materiali “Mbi festat e reja socialiste” u përgatit nga sektori i edukimit në KQ të PPSH, më 30 maj 1967. Në krye të hartimit dhe zbatimit të këtij projekti ishte Sekretari i KQ të PPSH, Ramiz Alia. Hartuesit e këtij materiali duhej të mendonin mirë se si njerëzit do kalonin kohën e lirë dhe çfarë do të bënin jashtë orarit të punës dhe mbi të gjitha çfarë do të bënin gjatë ditëve festive, sidomos të dielave. Edhe pse këto festime vazhduan dhe u kremtuan deri në fundin e diktaturës, festat tradicionale fetare nuk u zëvendësuan asnjëherë në shpirtin dhe kujtesën e shoqërisë shqiptare.

Ato mbijetuan në shtëpitë dhe familjet brez pas brezi, për t’u rikthyer edhe një herë publikisht pas viteve ’90.