Skena të turpshme gjatë patrullimit, përjashtohet efektivi i policisë

Pas videos e cila u bë virale mbrëmjen e djeshme, ku shihej një polic në krye të detyrës  të kryente skena të turpshme kundrejt një vajze në mes të rrugës, ka reaguar Policia e Shtetit.

Në një reagim zyrtar për mediat, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka identifikuar efektivin, e ka pezulluar nga detyra dhe e ka përjashtuar nga Policia e Shtetit.

Njoftimi i policisë:

Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie që ka shkelur rëndë Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, duke cenuar imazhin e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për të filluar menjëherë hetimin disiplinor.

Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, identifikuan punonjësin e Policisë, i cili është shtetasi M. K, punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3.

Për këtë punonjës u bë pezullimi nga detyra dhe u mor masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e Policisë tek qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të Policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.