Skënder Strica, mjeshtri i peisazheve/ Shkodra, Thethi dhe Alpet janë disa nga vendet ku gjen frymëzimin e tij…

Shkodra ka një traditë të hershme në artin e pikturës që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Skënder Strica është piktori i njohur shkodran që çdo ditë frymëzimin e hedh në telajo, duke i dhënë ngjyra asaj e bashkë me të edhe shpirtin e tij të lirë. E do aq shumë pikturën sa e konsideron dashurinë e tij të dytë pas familjes.

Skënder Strica është “produkt” i traditës së qytetit në këtë fushë dhe dashurinë për Shkodrën e tij e shpreh në çdo rast…Në pikturat e Skënder Stricës nuk kemi vetëm Shkodrën dhe motivet e saj, por në to shquajmë Alpet të cilat aq shumë i dashuron.

Skënder Strica ka realizuar 12 ekspozita jo vetëm në Shkodër por edhe në Malin e Zi e deri në Austri. Ai është modeli i një artisti që dashurinë për të bukurën e ka rrënjosur thellë në punimet e tij.