Struktura e re e bashkisë Shkodër/ Benet Beci: Nga e hëna fillon një epokë e re…

Të dashur banorë të Bashkisë Shkodër,

Dita e hënë shënon një hap të ri në funksionimin dhe angazhimin e të gjitha strukturave të Bashkisë Shkodër me vizionin që banorët duan, bashkinë në punë!

Nga dita e nesërme, në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak të datës 29.12.2023, hyn në fuqi struktura e re e bashkisë Shkodër e përqendruar te shërbimi, si kryefjalë e funksionit dhe miradministrimit të Bashkisë Shkodër.

Struktura e bashkisë, veçanërisht në institucionet e varësisë, kishte shumë pozicione të dubluara dhe specialistë që vetëm kishin emrin në borderotë e rrogave, por nuk ofronin asnjë shërbim për banorët e Shkodrës.

Sigurisht nuk është e lehtë të shkurtosh vende pune. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Por nuk mund të vazhdohet më të paguhen me rrogë njerëz që nuk japin asnjë kontribut në zhvillimin e bashkisë sonë. Qytetarët e Shkodrës nuk e kanë luksin të mbajnë me taksa nga të ardhurat e tyre të fituara me punë e sakrifica asnjë punonjës të tepërt në organikën e bashkisë.

Prej më shumë se dy muajsh administrata e Bashkisë Shkodër është në një proces riorganizimi. Të gjitha drejtoritë e Bashkisë Shkodër kanë analizuar me shumë përgjegjshmëri performancën dhe produktivitetin e punonjësve të varësisë dhe ekipeve që u shërbejnë qytetarëve, duke përzgjedhur ata që shërbejnë me profesionalizëm, ndershmëri, përkushtim dhe dëshirë për punë të mira për Shkodrën.

Për administratën e Bashkisë Shkodër nga e hëna fillon një epokë e re, në të cilën puna e motivimi për t’u shërbyer qytetarëve është dhe do të jetë kriteri i vetëm i vlerësimit.