“Superiorja e Shqipërisë është shumë e vështirë”, Brdariçi nuk ka prefenca në short: Nuk ka rëndësi nëse luajmë me Partizanin apo me Egnatian…

Një kampionat i çmendur! Në ditën e sotme është zhvilluar java e parafundit e Superiores që ka bërë akoma më të komplikuara fatet e këtij sezoni. Tirana dhe Vllaznia, klasikja e kësaj jave ka përfunduar në shifrat 0-0, ndërsa Partizani ka fituar ndaj Kukësit në shifrat 0-1. Në krahun tjetër Teuta fitoi me rezultatin e pastër 0-3 ndaj Erzenit, ndërsa Egnatia nuk gaboi me Dinamon, 0-1. Vërtet interesante është se Skënderbeu barazoi në minutën e fundit ndaj Lacit, 1-1.

Nëse Laçi do të kishte fituar dhe do të kishte mbajtur avantazhin, atëherë diferenca mes Lacit që mbante vendin e Play Out dhe Tiranës, vendit të katër që të dërgon në Final Four, do të ishte vetëm dy pikë. Por me barazimin në fund të Skënderbeut, Laçi shkon zyrtarisht në Play Out. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Brdariç (Vllaznia): “Sot dua të flas për lojtarët që janë në fushë. Ne luajtëm mirë. Na mungoi goli në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ramë pak fizikisht. Kur bëmë ndryshimet, nuk prodhuam më tepër. Por ndryshuam sistemin dhe patëm më shumë siguri. Superiorja e Shqipërisë është shumë e fortë. Duhet të japësh maksimumin nëse do të fitosh ndeshjen. Shpresoj që gjysmëfinalja të duket më mirë. Vllaznia ka investuar këtë periudhë. Nuk duhet të harrojmë se fakti që jemi në ‘final four’ është diçka e veçantë. Në fund, na duhet edhe pak fat. Sot ishte e mundur të fitonim dhe të kishim një pozicion më të mirë në tabelë. Fatkeqësisht nuk mund të shkojmë më në vendin e parë. Nuk ka rëndësi nëse ndeshemi me Partizanin apo me Egnatian. Në gjysmëfinale shkon vetëm për fitore dhe ne do të bëjmë të pamundurën”.

Fagu (Tirana): “Në përgjithësi sot zhvilluam një ndeshje të mirë ndaj një kundërshtari të fortë/ I kishim mundësitë për të shënuar gol. Por presioni për rezultatin bëri të vetën. Ne do të japim maksimumin deri në javën e fundit. Përderisa matematika na e lejon, do të luftojmë për atë objektiv deri në ndeshjen e fundit. Nëse nuk do të arrijmë objektivin sezoni do të jetë i dështuar. Tirana luan gjithmonë për titull kampion, ose në këtë rast për të qenë në ‘final four’. Por kam besim dhe do të japim maksimumin deri në javën e fundit. Peng? Kam shumë. Por ndeshjen me Skënderbeun, që ishin me 10 vetë, duhet ta kishim mundur”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/