Superliga e basketbollit meshkuj/ Vllaznia fiton edhe ndeshjen e dytë në Kamzë dhe kualifikohet në gjysmëfinale…

Vllaznia e basketbollit meshkuj është kualifikuar në gjysmëfinalen e kampionatit kombëtar faza Play Off. Një gjë të tillë e ka bërë pas dy fitoreve radhazi në turin çerekfinal ndaj Kamzës. Pas ndeshjes së parë luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ku Vllaznia fitoi 83-77, ka ardhur fitorja e dytë, këtë radhë në transfertë me rezultatin 67 me 72.

Në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit të Kamzës emocionet kanë qënë të njëjta me takimin e parë, por ndryshe nga ndeshja e të mërkurës së kaluar në Shkodër ku ishte Vllaznia ajo që fitoi periodën e pare, këtë radhë ështe Kamza që e nisi më mirë takimin.

Vendasit e drejtuar nga trajneri shkodran Eni Llazani fituan periodën e parë 18-14, ndërkohë që Vllaznia kundrapërgjigjet në periodën e dytë duke e fituar 11-19 dhe shifrat e pjesës së parë janë 29-33 për kuqeblutë. Pas rikthimit në fushë për pjesën e dytë, perioda e tretë ka shumë rivalitet, gjë që e shpreh rezultati i barabartë, 15-15 duke lënë gjithnjë në avantazh të katër pikëve Vllazninë. Shumë rivalitet edhe në periodën e katërt, Kamza për të përmbysur disavantazhin dhe Vllaznia për të administruar avantazhin prej katër pikësh në.

Vllaznia, jo vetëm arrin ta mbajë avantazhin por duke fituar perioden e katërt 23-24 e thellon në pesë pikë duke fituar të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 67 me 72. Një fitore kjo e merituar që shkon për të gjithë skuadrën, dhe patjetër për dirigjentin e saj, trajnerin e palodhur Damian Bekteshi. Me këtë fitore, e dyta radhazi ndaj Kamzës, kuqeblutë kualifikohen në gjysmëfinalen e kampionatit, faza Play Off, ku tashmë shorti i përball me Teutën e Durrësit. Ndërkohë, çifti tjetër gjysmëfinalist, është Besëlidhja-Tirana.