Superliga e futbollit U- 19/ Vllaznia fiton klasiken me Tiranën, shënon Kevin Dodaj…

Java e nëntë e Kampionatit Kombëtar të futbollit për Superligën e moshave U19, ka ballafaquar në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, Vllazninë U-19 dhe Tiranën U-19. Një klasike për Superligën e 19 vjeçarëve mes dy ekipeve që vetëm dy pikë i ndanin nga njëra tjetra, Vllaznia me 14 pikë dhe Tirana me 12. Vllaznia fiton me rezultatin 1 me 0, falë atij goli mjeshtror shënuar nga Kevin Dodaj në minutën e 36-të të ndeshjes. Gol ky që konfirmon kështu formën shumë të mirë sportive që po kalon sulmuesi kuqeblu, i cili javën e kaluar pati debutimin e tij të parë me Vllazninë e madhe në transfertë përballë Egnatias vendase.

Në pronononcimin e pas ndeshjes, trajneri Vioresin Sinani u shpreh i kënaqur për fitoren, ndërsa komplimentoi edhe autorin e golit Kevin Dodaj, por edhe Ersi Zaganjorin, futbollistë këto që janë pjesë e skuadrës së parë.

Pas ndeshjes ka folur edhe autori i golit të fitores, Kevin Dodaj, duke premtuar se do të punojë fort për t’i shërbyer ekipit U19 si dhe ekipit të parë.

Pas kësaj fitoreje, Vllaznia U19 është barazuar me pikë me Partizanin, në krye të tabelës së klasifikimit.