“Të flesh”  me depozitat e ujit mbi kokë/ Banorët e Koplikut presin zbatimin e një projekti nga bashkia…

Si për ironi të fatit Malësia e Madhe , që shtrihet në afërsi të liqenit të Shkodrës,  ka probleme me furnzimin me ujë të pijshëm të paktën prej 20 vitesh. Për këtë arsye banorët janë detyruar që të vendosin depozita 500 deri në 1 mijë litërshe në tarracat e pallateve.

Në këtë pallat 5 katësh që ka nisur të amortizohet banojnë rreth 30 familje të cilat ngrenë alarmin për rrezikun që i kanoset nga vendosja e tyre.

Të kontaktuar nga RTSH zyrtarë të Bashkisë së Malësisë së Madhe e pranojnë këtë problematikë, por momentalisht nuk kanë ende një zgjidhje. Dy vite më parë në këtë zonë u ndërtua rrjeti i ri i ujësjellësit, i cili mesa duket nuk ka kapacitet që të furnizojë të gjithë këtë bashki. Në këtë kushte banorët  presin zbatimin e një projekti nga Bashkia e Malësisë së Madhe për tu krijuar kushtet që të furnizohen me ujë të pijshëm pa ndërprerje.Momentalisht qyteti i Koplikut furnizohet me ujë të pijshëm 5 deri 6 orë në ditë, ndërsa gjatë verës 2-3 orë.