Të shtunën përballje historike për boksierët shqiptarë…

Këtë të shtunë në kompleksin Feti Borova do të zhvillohen ndeshjet më të forta të boksit që janë parë ndonjeherë në Shqipëri. Spikat përballja e Denis Nurjas, i cili si kundërshtar do ketë kolumbianin Placido Ramirez, i 54 në botë për peshat e mesme, me 24 fitore, 17 prej të cilave me nokaut. Nëse Nurja ia del shanset janë që të ngjitet te 20 boksierët më të mirë në botë.

Në ring do jetë gjithashtu edhe kampioni shqiptar i peshave të rënda, Nelson Hysa. Shkodrani i cili mban vendin e 69 në botë përballet me bjellorusin Viktar Chvarkou. Për Hysën kjo është ndeshja e 12 në boksin profesionist, me 11 të parat që i ka fitore.

Në ring, për herë të parë si boksier profesionist, do të ngjitet edhe kampioni i Ballkanit Amar Koçi, vetëm 17-vjeç. Ai do debutojë kundër boshnjakut Stefan Prodan.

“Kam provuar të ndryshoj stilin luftarak. Kemi bërë stërvitje pak më pasive, jo shumë agresiv. Është boks profesionist me katër raunde dhe merret më qetë se boksi amator. Është diçka e rë për mua, e mirëpret me padurim dhe uroj të arrij sa më lart,”-deklaroi Amar Koçi, boksier.