TEREZA BIANKU, BIZNESMENIA E PARË SHKODRANE…

Ne respekt te bisnesmeneve shkodrane qe ne mes sakrificave te medha hapen dhe mbajten bisnese, per intuitin e tyre, inteligjencen dhe guximin per ti menaxhuar ato, le te njohin kush ishte biznesmenia e pare shkodrane e ndoshta edhe shqiptare.
Share your love

Nga Zenepe Dibra

TEREZA BIANKU, BIZNESMENIA E PARË SHKODRANE

Tregtare e shquar shkodrane e shekullit XIX në Venedik, që me intuitën e saj të zgjuar, tregoi një shkathtësi në marrëdhëniet tregtare në mes të Venedikut dhe Shqiperisë duke rritur kapitalin financiar të kësaj familjeje në një shkallë të konsiderueshme. Sipas të dhënave të marrura nga familja Suma që kishte lidhje fisnore me Terezen, tregohet se ajo vinte nga familja e Muzhanëve, një nga familjet më të vjetra dhe më me traditë në qytetin e Shkodrës.Tereze Bianku ishte e bija e Gjok Muzhanit dhe kishte tre motra dhe një vëlla. Njëra motër e Terezës ishte e shoqja e Ndrek Sumës, tjetra gjyshja e Luigj Gurakuqit, tjetra gjyshja e Aurel Ashikut, kurse vëllai i Terezes,Gjoni vdiq në moshën 27 vjeç në Elesino të Italisë.Tereza martohet me Stefano Biankun,një tregtar i madh shkodran në Venedik.Në atë kohë, në shërbim të tregtisë brënda dhe jashtë vendit, në krahinat e ndryshme të Rumelisë, të Dalmacisë, në Serbi, Trieste, Venedik dhe më poshtë në Bari, Brindizi, Korfuz e tj. tregtarët shqiptarë e sidomos ato shkodranë, që në shek.XVIII kishin krijuar edhe agjensitë apo shtëpitë e tyre tregtare.Veç kësaj ato kishin edhe agjentët tregtarë të shpërndarë në këto vise me të cilët komunikonin rregullisht në fillim me gjuhë të huaja dhe më vonë sidomos nga mesi i shekullit të kaluar edhe në gjuhën amtare të shkruar. Duke folur për tregtarët shkodranë, piktori anglez Lir më 1848 shkruan:”Shumë prej tyre janë me pasuri të mëdha dhe bëjnë tregti të madhe me viset e Italisë e sidomos me Venedikun, banorët e të cilit pothuajse flasin greqisht, shqip, sllavisht dhe turqisht.”. Ndër to në fundin e shekullit XVIII dhe gjatë shekullit XIX ishte e njohur,familja Bianku(Bojaxhia) si familje tregtare dhe si pronare tokash, livadhesh, ullishtash dhe vreshtash.Më i njohuri i tyre ishte Jaku mbas vdekjes te cilit, u nda dhe pasuria. I biri i tij, Stefano, formoi me vëllezërit Çoba një firmë të përbashkët më 1867, që zgjati afro 15 vjet. Firma “Çoba- Bianki”, u identifikue një qëndër tregtare jo vetëm për Shkodrën dhe rreth saj,por për krejt viset shqiptare,duke gëzuar kështu besueshmërinë në tregun e mbrëndëshëm dhe atë të jashtëm dhe duke krijuar lidhje jo vetëm me tregjet më të njohura të Europës,por dhe të Azisë.Me veprimtarinë e tyre ata e kthyen Shkodrën në një rajon tregtar të rëndësishëm të asaj kohe. Mbas vdekjes së Stefanos më 1892 pasuria dhe tregëtia e kësaj familje filloi të administrohej nga e shoqja e tij Tereza Bianku (halla e gjyshes së Terezina Sumës). Ajo trashëgoi shumë pasuri në Shkodër dhe Venedik e Merano të Italisë. Në Venedik ajo kishte një shtëpi tre katëshe ku brënda kishte edhe kishën. Në letrat e saj që ruhen akoma edhe sot në shtëpinë e Sumejve, nga korespondenca që kishte me hallen, ajo tregonte që shkonte shpesh në Merano sidomos çdo vjeshtë ku kontrollonte përgatitjet për prodhimin e verës.Tereze Bianku mbajti tregtinë për 24 vjet mbas vdekjes të shoqit duke bashkëpunuar ngushtë me Enjëll Çoben, nipin e të shoqit me të cilin mbante korespondencë të rregullt. Kjo grua e zgjuar dhe e shkathët që dinte disa gjuhë të huaja, që në gjysmën e dytë të shek.XIX, mbante në gjuhën shqipe letërkëmbim tregtar me firmat shqiptare të Kosovës,t Italisë Jugore, të Korfuzit etj..Ajo kishte në shtëpi, sekretare dhe noterin e vet si dhe katër gra që i bënin shoqëri dhe e ndihmonin në punët e shtëpisë dhe problemet administrative. Nën kujdesin e Tereze Biankut u krye ndërtimi i disa shkollave dhe financimimi i tyre prej firmës “Çoba- Bianki”, ndërtimi i rrugëve lidhëse të Shkodrës me krahinat e tjera si p.sh. ndërtimi i rrugës Shkodër –Shëngjin, ndërtimi i disa kishave, si dhe ndërtimi i një spitali në Shkodër.

Tereze Bianku si biznesmenia e parë e sukseshme shkodrane e shekullit XIX, u bë dhe kryetare e perfaqësimit të tregtisë shqiptare në dhomën e tregtisë së Venedikut.Por nuk qe vetëm tregtare e shquar në Qarkun e Venedikut dhe atë të Shkodrës, por dhe një grua bujare, zemërdhimsur, bamirëse që kurrë nuk i harroi njerëzit e saj në Shkodër.Kushedi sa herë shpërndau ndihma për njerzit e saj dhe veçanarisht për të varfërit si dhe fali pjesë të pasurisë së saj. Në testamentin e lënë më vonë do shiheshin pjesë të falura për nipat dhe mbesat e saj nga pasuria e saj e madhe dhe e trashëgueshme; shtëpinë ja fali kishës.Tereza ishte e prirur për të punuar dhe krijuar gjithçka ;në korespondencën që kishte me mbesën e vet dhe stërmbesën, Luçijen, ajo dërgonte qindisi që punonte në kohën e lire me një shije të hollë dhe kujdes të veçantë që akoma sot ruhen nga familja e Terezina Sumes; lule, zogj me pejra mëndafshi si dhe figura të bukura me shejtnit e shtëpisë si atë të Shën. Agustinit, Shën Terezes, Shën Stefanos.

Tereze Bianku, tregoi atë, që në qoftëse një gruaje shkodrane i jepen mundësitë për të punuar në atë sektor apo drejtim që i përshtaten stimës, intelektit, intuitës dhe pasionit të saj, ajo punon dhe drejton disa here më mire se burrat sepse ajo vetë nga natyra, jo vetem që është një administratore e rregullt por dhe një ekonomiste e lindur që me intuitën, imagjinaten dhe shpirtin e vëzhgimit është e aftë për të menaxhuar dhe drejtuar çdo problem që i paraqitet. Nga ana tjeter Tereza Bianku përfaqëson gruan shkodrane, që i tregoi botës së huej, potencën femërore intelektuale dhe shumë emancipuese në fushën e biznesit e aftë për të përfaqësuar, tregëtinë shkodrane në institucionet më të larta tregtare të Venedikut si dhe për të vendosur lidhjet në mes binesmenëve mes këtyre vendeve. Superioriteti i saj altruist,i mishëruar në vrullin drejt të mirës dhe rritjen e shkallës të ndjeshmërisë, e bënë të marrë pjesë aktivisht në shumë vepra bamirësie për njerëzit e vet, për nevojat e qytetit ku u lind për fenë mbas të cilit u lidh përjetësisht, duke i zbutur moralin për mëshirën, mirësinë dhe drejtësinë.

Shenim: Te dhenat per bisnesmenen e pare shqiptare jane mare nga disa burime por kryesorja ka qene doktoresha jone e shquar Terezina Suma, e cila me ka afruar shume te dhena qe i mbante si relike shume te çmuara.

Share your love