“Territor i pastër”, policia e Shkodres asgjeson 2738 fidanë kanabis…

Share your love

Shkodër/Vijon megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, gjenden dhe asgjësohen 2738 fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Identifikohen dhe procedohen penalisht 2 autorët e dyshuar të kultivimit të 141 fidanëve cannabis që u gjetën në fshatin Lohe, Malësi e Madhe.

Për këtë rast, procedohen penalisht për shpërdorim të detyrës, kryetari i fshatit dhe specialisti i pyjeve.

Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në fshatin Lohe, Malësi e Madhe, u gjetën 141 fidanë cannabis. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

P. B., 43 vjeç dhe F. GJ., 41 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”;

M. B., kryetari i fshatit, dhe shtetasi A. H., specialist i pyjeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në vijim të kontrolleve, në territorin e njësive administrative Shosh, Pult, Shkodër, u gjetën dhe u asgjësuan 2159 fidanë cannabisi, ndërsa në territorin e njësisë administrative Shllak, Vau i Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 438 fidanë cannabisi.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre fidanëve kanabis.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Share your love