Transportonin armë nga Shkodra në Tiranë, gjykata lë në burg 5 të të rinjtë…

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë ‘arrest ne burg’ për Sabian Hasaj, Redi Nika, Denis Hasaj, Denisa Halilaj, Mirjan Hasaj, të arrestuar për trafik armësh nga Malësia e Madhe drejt Tiranës ku më pas do t’i shisnin tek persona të tretë.

Asnjëri prej tyre nuk foli në gjykatë, teksa u mbrojtën nga avokatët. Avokati i ish efektives së burgjeve Denisa Halilaj pretendoi se arrestimi është i paligjshëm dhe kërkoi masë më të butë sigurie se arresti në burg, por kërkesa u rrëzua nga gjykata.

Avokati i Halilajt njësoj si kjo e fundit pretendoi para OPGJ, tha në gjykatë se klientja e tij nuk ishte në dijeni të armëve që ndodheshin në makinë. Grupi hetimor pritet të analizojë në mënyrë të detajuar 5 aparatet e tyre celular për të zbardhur prova të tjera për veprimtarinë kriminale.

4 automatikë e 5 pushkë të siguruara në Shkodër për t’u shitur në Tiranë, u sekuestruan në rrugën e Rinasit. 9 armët e sekuestruara rezultojnë të jenë të ’97-ës, të magazinuara që në atë kohë, por janë aktive dhe në përdorim.