Tritol ndaj gjyqtarit në Shkodër, delegacioni i BE dënon ashpër sulmin: Siguria nga kërcënimet, thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit…

Delegacioni i BE në Shqipëri ka reaguar për sulmin që iu bë gjyqtarit Tonin Sterkajn, të cilit iu vendos lëndë plasëse në banesën e tij në Shkodër një ditë më parë.

BE dënon ashpër sulmin, ndërsa thekson se kërcënimi ndaj zyrtarëve të drejtësisë është një pengesë e madhe në pavarësinë e gjyqësorit, dhe se është thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

“Ne dënojmë ashpër sulmin e bërë së fundmi ndaj një gjyqtari në Shqipëri. Siguria e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan delegacioni i BE.

Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit gjyqësor në Shqipëri, theksojnë ata.

Ndërkohë Komisioni i posaçëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosi mbrojtje të veçantë për gjyqtarin Tonin Sterkajn.