U arrestua në Shkodër, lirohet shqiptari më i kërkuar i Europolit…

Edinjo Pulti, një person me precedentë të rrezikshëm kriminal, është shoqëruar nga efektivët e policisë së Shkodrës mbrëmjen e së shtunës. Ndonëse Pulti rezulton i shpallur në kërkim nga Europol për tentativë vrasje dhe trafik armësh, ai është lënë i lirë për shkak se Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Luksemburgun, shtetin që e kërkon 36-vjeçarin për vepra të ndryshme penale.

I shumëkërkuari akuzohet nga autoritetet e Luksemburgut për tentativë vrasjeje, por edhe për trafik të paligjshëm të armëve, municioneve dhe eksplozivëve. Më 2 gusht 2020, ai u përfshi në një përleshje në Pétange. Sipas Europol, Pulti ka goditur disa herë me thikë dy persona. Një nga dy të plagosurit është goditur në bark dhe ka mbetur i plagosur rëndë. Një urdhër-arresti europian dhe ndërkombëtar është lëshuar për të në janar 2021.