U dhunua nga nxënësi në klasë, flet mësuesja: S’i përmenda babain e ndjerë. Ja si ndodhi sherri…

Mësuesja Majlinda Palushi, e cila u dhunua nga nxënësi me karrige, incident që ndodhi në gjimnazin ‘Hydajet Lezha’, ka mohuar kategorikisht se i ka përmendur 16-vjeçarit babain e ndjerë.

Ajo rrëfeu për emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24 për gazetaren dhe moderatoren Evis Ahmeti, se xhaxhai i djalit dhe nxënësit gënjyer për ngjarjen.

Mësuesja tregoi se nxënësit kishin ulëritur kur kishin parë nxënësin që kishte marrë karrigen dhe më pas ai e goditi nga pas me të.

“Nuk kam qenë në gjendje as me fol. Kam qenë në gjendje shoku. U rikuperova pas operacionit. Do rri du muaj në spital, për klavikulën, kam nevojë për fizioterapi. Nuk i kam zënë babain në gojë. Ai u kujtua pas 5 minutash pasi zura unë benë. Unë u kapa me kushërini e tij.

Ai po bënte video. Ata po qeshnin. Dhe unë u kërkova që mos të qeshnin, u thash; dilni jashtë. I thash dil jashtë, dhe kur po merrja fletoren, ai ma mori dhe më shtyu. Mora telefonin me thirr policen e shkollës, për çdo incident. Policja s’më doli fare. Më duket se nuk ishte në telefon. Nxënësit nisën duke qeshur, kryesisht kushëriri i vetë.

Në këtë kohë…unë i thash; vazhdojmë. Vazhdoj të bëjë ilaritet…. “Yyyy s’të erdhi policia”- më tha..Unë ia ktheva dhe i thash; ti e ke marrë kot vitin. Në këtë debat e sipër kur ai më thoshte; ‘do më kalo edhe këtë vit’.

Dhe unë në ngarkesë e sipër; ‘në tesha të babës tem’…skam përmend babën e vetë. E kam përmend te tavolina e tij babën tim. S’ja përmenda babën. Nëse do i kisha përmend babën do kishte reaguar në moment, kam shkuar në tabelë dhe jam marrë me nxënësit e tjerë. I thash; do shihemi në fund do e marrësh apo jo shkollë, dhe po të bëj be eshtrat e babit tim që kam në varr.

Më pas kam shkuar në tabelë, po të kisha thënë për babanë e tij do kishte reaguar në moment, pas 5 minutash kam dëgjuar nxënësit e tjerë duke ulërit, dhe kur u ktheva më ka rënë me karrige e hekurin në sup. Do kisha rënë përtokë nëse s’do më kishte kapur nxënësi tjetër. Nga ai moment nuk mbaj mend gjë, më kanë çuar në spital.

Aty më ka ardh xhaxhai i tij dhe më ka kërkuar falje dhe të bëj deklaratë që e fal dhe ai të dalë nga burgu. E kam bërë në darkë… xhaxhai i tij ka fol mashtrime më pas. Në asnjë video, në asnjë rast unë nuk kam përdorur dhunë, e vetmja fjalë që kam nxjerrë nga goja… mund të kem përdor fjalën ‘je kakareq i papjekur’, por jo ‘majmun’. Vajza që ka thënë se unë marr para, do ta denoncoj. Ti nuk e di presionin që ne kalojmë aty”, tha mësuesja.