U dhunuan brutalisht në Mal të Zi, kthehen në Shqipëri tre të rinjtë shqiptarë. Dërguar në spitalin Rajonal të Shkodrës…

Tre të rinjtë shqiptarë që u dhunuan një ditë më parë në Mal të Zi, janë kthyer me dëshirë në Shqipëri.

Pas dhënies së dëshmive në praninë e avokatit shqiptar dhe përfaqësuesve të ambasadës tonë, shqiptarët për arsye sigurie janë shoqëruar me policë deri në dogën e Muriqanit.

Ata janë dërguar në spitalin Rajonal të Shkodrës për ekzaminime të mëtejshme dhe kanë rezultuar pa probleme.

Ndërkohë policia malazeze ka identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik ndaj shqiptarëve, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar dhe do merren masa për kapjen dhe arrestimin e tyre.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit për tre shtetasit shqiptarë të dhunuar në Mal të Zi, ju informojmë se:

Policia malazeze ka kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe tre shtetasit shqiptarë kanë dhënë deklarime në prani të një avokati (njohës i gjuhës shqipe) dhe të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Malin e Zi. Në përfundim të veprimave të para, tre shtetasit shqiptarë, me dëshirën e tyre, janë nisur për në Shqipëri.

Drejtuesit e Policisë së Shtetit iu kanë kërkuar homologëve të Malit të Zi, që për çështje sigurie, të tre shtetasit shqiptarë t’i shoqërojnë me punonjes policie, deri në kufi.

Tre shtetasit shqiptarë kanë mbërritur në PKK Muriqan, rreth ores 05:30 dhe janë pritur nga drejtuesit e pikës së kalimit kufitar Muriqan dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, të cilët i kanë shoqëruar deri në Spitalin Rajonal Shkodër ku shtetasit shqiptarë kanë kryer të gjitha kontrollet mjekësore, nga të cilat kanë rezultuar pa probleme.

Në lidhje me veprimet procedurale dhe identifikimin e autorëve, sipas informacionit të dërguar nga kolegët në Malit e Zi, rezulton se:

Policia ka ndërmarrë veprime me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave në të cilat kanë mbetur të plagosur shtetasit shqiptarë.

Janë kontrolluar videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes.

Përmes punës operative në terren, efektivët e policisë kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar dhe do merren masa për kapjen dhe arrestimin e tyre.

Ngjarja është dërguar për kompetencë te Prokurori i cili do të deklarojë kualifikimin ligjor të rastit.

Vijojnë intensivisht hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.