Ulet në 15 numri i nxënësve për një klasë të arsimit të mesëm profesional; 3 nëndrejtorë te shkollat me mbi 700 nxënës…

Ndryshimi i udhëzimit “Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në ofruesit e arsimit profesional” nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë i botuar në Fletoren Zyrtare ul numrin e nxënësve për formimin e një klase të arsimit profesional.

Sipas udhëzimit numri maksimal për formimin e një klase në shkollat e mesme profesionale do të jetë 15 nxënës nga jo më pak se 16 nxënës dhe jo më shumë se 32 që përcaktonte udhëzimi i miratuar në vitin 2019.

Udhëzimi i përcakton për herë të parë se për degët mësimore, si: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, detari, gjeologji-miniera, kërkim, shpim dhe shfrytëzim i naftës dhe gazit, dhe tekstil-konfeksion klasat formohen me jo më pak se 12 nxënës. Ndërsa klasat në arsimin pas të mesëm formohen jo më pak se 10 nxënës.

Edhe ndarja e klasave paralele do të bëhet gjithashtu sipas një rregulli të ri.

Udhëzimi ndryshon edhe numrin e drejtueseve edhe normën mësimore javore të tyre. Në dokumentin e mëparshëm përcaktohej se shkollat profesionale zgjidhnin nëndrejtorin e tretë në rast se numri i nxënësve është mbi 900. Me ndryshimin e udhëzimit nëndrejtori i 3-të zgjidhet në rast se shkollat kanë një kapacitet mbi 700 nxënës.

Sakaq drejtuesit e shkollave profesionale pavarësisht numrit të nxënësve nuk do të kenë ngarkesë mësimore. Në udhëzimin e mëparshme përcaktohej se drejtori shkollës me 81 deri 251 nxënës kishte 6 orë në javë. Ndërsa çdo nëndrejtor, pavarësisht numrit të nxënësve 6 orë në javë. Ngarkesa e orëve mësimore për nëndrejtorët e shkollave profesionale mbetet e njëjtë.

Numri i nxënësve për klasë

Ishte

  1. Klasat në arsimin profesional formohen jo më pak se 16 nxënës dhe jo më shumë se 32 nxënës.
  2. Ndarja e klasave paralele të bëhet sipas kësaj rregulle: a) dy klasa paralele, kur numri i nxënësve është 33–64 nxënës; b) tri klasa paralele, kur numri i nxënësve është 65–96 nxënës; c) katër klasa paralele, kur numri i nxënësve është 97–128 nxënës; d) pesë klasa paralele, kur numri i nxënësve është 129–160 nxënës; e) ndarja e nxënësve në më shumë se 5 klasa paralele vazhdon sipas rregullës së përcaktuar në pikën 2.

Bëhet

Numri i nxënësve për klasë: a) Klasat në arsimin profesional formohen jo më pak se 15 nxënës; b) Në drejtimet mësimore “bujqësi”, “veterinari”, “pyje”, “ndërtim”, “detari”, “gjeologji-miniera”, “kërkim, shpim dhe shfrytëzim i naftës dhe gazit” dhe “tekstil-konfeksion” klasat formohen me jo më pak se 12 nxënës; c) Klasat në arsimin pas të mesëm formohen jo më pak se 10 nxënës.

  1. Ndarja e klasave paralele të bëhet sipas këtij rregulli: a) dy klasa paralele, kur numri i nxënësve është 30–59; b) tri klasa paralele, kur numri i nxënësve është 60–90; c) katër klasa paralele, kur numri i nxënësve është 91–120; d) pesë klasa paralele, kur numri i nxënësve është 121–150; e) ndarja e nxënësve në më shumë se pesë klasa paralele bëhet për çdo rritje të numrit me 30 nxënës

Numri i drejtuesve

Ishte

Numri i drejtuesve 1. Kur numri i nxënësve është 251–500, emërohet një nëndrejtor shkolle; 2. Kur numri i nxënësve është 501–900, emërohen dy nëndrejtorë shkolle; 3. Kur numri i nxënësve është mbi 900, emërohen tre nëndrejtorë shkolle.

Bëhet

Kur numri i nxënësve është 200–450, emërohet një nëndrejtor shkolle; b) Kur numri i nxënësve është 450–700, emërohen dy nëndrejtorë shkolle; c) Kur numri i nxënësve është mbi 700, emërohen tre nëndrejtorë shkolle.

Norma mësimore javore e mësuesve dhe e drejtuesve

Ishte

  1. Normat për lëndët ë kulturës së përgjithshme: a) mësuesi i gjuhës shqipe dhe i letërsisë 18 orë në javë; b) mësuesi i gjuhës së huaj, i matematikës, i fizikës, i biologjisë, i kimisë, i informatikës, i historisë, i gjeografisë, i teknologjisë, i shkencave shoqërore (filozofi, psikologji, qytetari, sociologji), i ekonomisë 20 orë në javë; c) mësuesi i lëndëve të tjera 22 orë në javë.
  2. Normat për lëndët e kulturës profesionale: Mësues i teorisë profesionale 22 orë në javë; Mësues i praktikës profesionale 24 orë në javë.
  3. Normat për drejtuesit: a) drejtori i shkollës me 81–251 nxënës 6 orë në javë; b) çdo nëndrejtor, pavarësisht numrit të nxënësve 6 orë në javë

Bëhet

a) Normat për lëndët e kulturës së përgjithshme: i. Mësuesi i gjuhës shqipe dhe i letërsisë 18 orë në javë; ii. Mësuesi i: gjuhës së huaj, matematikës, fizikës, biologjisë, kimisë, informatikës, historisë, gjeografisë, teknologjisë, shkencave shoqërore (filozofi, psikologji, qytetari, sociologji), ekonomisë dhe mësuesi ndihmës 20 orë në javë; iii. mësuesi i lëndëve të tjera 22 orë në javë.

b) Normat për lëndët e kulturës profesionale: i. Mësues i teorisë profesionale 20 orë në javë; ii. Mësues i praktikës profesionale 22 orë në javë.

c) Normat për drejtuesit: i. drejtori i shkollës, pavarësisht nga numri i nxënësve ii. nuk ka ngarkesë mësimore iii. nëndrejtori, pavarësisht numrit të nxënësve 6 orë në javë; iv. përgjegjësi i njësisë së zhvillimit, pavarësisht numrit të nxënësve norma është 50 % e ngarkesës së orëve mësimore javore v. përgjegjësi i bazës prodhuese 15 orë në javë./Monitor/