Universitetet i harxhuan fondet për siguri dhe mobilje…

Universitetet publike i kanë shpenzuar fondet publike kryesisht për siguri fizike të godinave, rikonstruksione, mobilje ose shpenzime të tjera për personelin, shpeshherë të pajustifikuara, duke lënë jashtë vëmendjes kërkimin shkencor dhe librat, thotë organizata “Qendresa Qytetare”

Gjetjet e një monitorimi të kryer për periudhën shtator 2022- gusht 2023, nga kjo organizatë në 7 universitete publike në vend u prezantua të mërkurën për publikun.

Monitorimi i shpenzimit të fondeve publike u fokusua tek Universiteti i Tiranës, “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, “Fan Noli”në Korçë, Universiteti i Mjekësisë, “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

“Në total universitetet kanë shpenzuar rreth 2.4 milionë euro, nga të cilat vetëm  79 mijë euro janë dedikuar për studime dhe kërkime shkencore, që duhej të ishte thelbi i punës së universiteteve,” tha drejtori ekzekutiv i “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari.

Organizata ngriti shqetësimin e mungesës së transparencës nga ana e drejtuesve të universiteteve dhe refuzimin e tyre për të vënë në dispozicion dokumente.

“Mungesa e transparencës është rreziku më i madh i universiteteve publike,” apeloi Xhemollari, duke veçuar Universitetin e Tiranës si një “bunker” në këtë drejtim .

Sipas Xhemollarit, studentët duhet të jenë më aktivë  dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe të kërkojnë llogari periodike nga bordet e e administrimit.

“Janë para të kuotave të studentëve, para të taksapaguesve shqiptarë që nuk shkojnë tek studentët, nuk shkojnë te pedagogët e tyre,” theksoi ai.

Shpenzime të kontestueshme, sipas Qëndresës Qytetare, duken ato për ceremoni të përvjetorëve të universiteteve, shpenzimet për rikonstruksione godinash, apo për ruajtjen fizike të tyre.

“Pavarësisht se në vitin 2019 u shpenzuan 170 mijë euro për rikualifikimin e oborrit të fakultetit të Histori- Filologjisë, UT ka shpenzuar edhe 283 mijë euro të tjera për mirëmbajtje ndërtese dhe ambjenti rrethues, kur vetëm godinat e dy fakultete rezultojnë të kenë mure rrethues,”  thuhet në raportin e monitorimit.

Raporti sjell po ashtu rastin e Universitetit të Mjekësisë që ka shpenzuar 94 mijë euro për ceremoninë e përvjetorit të krijimit të tij, në një kohë që ky universitet ka zero lekë për kërkim shkencor.

Po ashtu, UT ka shpenzuar 45 mijë euro për ar dhe argjend, por nuk ka vënë në dispozicion kontratat e këtyre blerjeve me arsyetimin se përbënin sekret tregtar. Sipas gjetjeve, ky universitet, më i madhi në vend, vijon të shpenzojë për mirëmbajtje ndërtesash dhe pse investime të ngjashme për të njëjtat zëra janë bërë në vitet e mëparshme.

Ndërkohë Universiteti i Elbasanit mban rekord në shpenzimet për sigurinë e një godine me 562 mijë euro në vit, përkatësisht 19 roje në dispozicion.

Sipas raportit të Qëndresës Qytetare, “universitetet publike duhet të alokojnë më shumë para për zërat e kërkimit shkencor dhe pasurimit të bibliotekave të tyre me librat që përmban kurrikula mësimore dhe të hedhin më pak para për siguri, rrethim godinash apo mirëmbajtje muresh rrethuese”.