Vllaznia merr fitoren e pestë radhazi dhe parakalon Tiranën…

Vllaznia ka arritur një fitore të rëndësishme përballë Erzenit në Rrogozhinë me rezultatin 0-1, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores.

Sfida e luajtur në Rrogozhinë ishte e fortë, me shkodranët që ishin ata që provuan më së shumti në pjesën e parë, ku kishin dhe pretendime për penallti.

Polemika kishte dhe në të dytën, pasi u deshën 7 minuta për të vendosur një rast të diskutueshëm mes Balajt dhe Atandës për një tjetër 11-metërsh, por Ferataj nuk e konsideroi si të tillë.

Gjithsesi, në minutën e 87’ ishte Stojanoviç i cili përfitoi nga një kontroll jo i mirë i topit i portierit Puja dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Kështu Vllaznia parakalon Tiranën në vendin e tretë dhe shkon në kuotën e 32 pikëve, duke u shkëputur nga ndjekësit për zonën e “Final 4”, ndërsa Erzeni vazhdon të jetë në vendin e 8-të me 22 pikë, ku rrezikon rënien nga kategoria.