Vllaznia nuk humb kohë, gjen zevendësin e Memellit…

Pasi njoftoi shkarkimin e trajnerit Migen Memelli, duket se klubi shkodran nuk ka humbur kohë dhe e ka gjetur menjëherë zëvendësuesin e tij. Bëhet fjalë për trajnerin e suksesshëm shqiptar, Qatip Osmani.

Osmani është shumë i njohur në Maqedoninë e Veriut, pasi më parë ka pasur sukses me ekipet shqiptare si Shkëndija e Tetovës, Renova, Shkupi dhe Drita e Bogovinës. Me ‘kuqeblutë’ tekniku do të firmosë një kontratë 1-vjeçare.

Lajmin që Osmani do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë e ka dhënë vetë ai në një intervistë për Klan Maqedonia. “Përfundimisht kemi rënë dakord me drejtuesit e klubit të futbollit Vllaznia të Shkodrës që të jem trajner përgjegjës. Punën me ekipin e Vllaznisë do të nis që nga dita e hënë. Me drejtuesit e klubit kemi firmosur kontratë një vjeçare”, është shprehur trajneri 54-vjeçar.