Vllaznia sfidon Egnatian, Zmijani: Prova e së vërtetës, shkodranët po bëhen të frikshëm…

Ecurinë e skuadrës ia dedikon një serie faktorësh. Rezultatet e deritanishme janë meritë e stafit drejtues dhe e gjithë lojtarëve pa përjashtim. Ndërkohë, në intervistën për “Panorama Sport”, ai ka komentuar edhe shortin e Kupës, ku e shikon si një “përleshje”, mes më të mirave momentalisht të sezonit. Të dy ekipet do të matin forcat, sipas Zmijanit para se të diskutojnë mes tyre edhe kampionatin.

Zmijani, një Vllazni që s’po di të ndalet, apo jo?

Ishte diçka që pak kujt mund t’i kishte shkuar ndërmend që kjo Vllazni, të ketë një ecuri të tillë. Mund të them se askush si ka falur gjë, askush nuk i ka bërë asnjë favorizim, por gjithçka deri tani e ka, të vetën me meritën e plotë. Një meritë e stafit teknik dhe kryesisht e gjithë lojtarëve. Ka shumë harmoni, shumë punë e përkushtim, disiplinojnë në lojë dhe nuk po mungon as fati që mesa duket tani është në anën e tyre. Nuk mund të themi se po bën një lojë nga më të mirat, por po merr maksimumin dhe kjo mbyll gjithçka. Nuk mund të thuhet se po luan atë që ne presim, por mund të them se edhe rastësisht rresht 12 rezultate pozitive në kampionat me 10 fitore. Dy barazime nuk të lënë për të thënë asgjë negative në atë që po bën dhe si po funksionin kjo skuadër.

Sipas jush, a do të vijojë kjo ecuri e Vllaznisë?

Çdo skuadër mund të ketë edhe ndalesat e veta. Por mendoj se me këtë entuziazëm, me këtë lojë dhe përkushtim e dëshirë që kanë gjithë lojtarët i shoh si një skuadër që është e vështirë për t’u mundur. Nuk mund të thuash që tani po çalon mbrojtja, po çalon mesfusha apo sulmi. Të gjithë po funksionojnë si një. Vllaznia po tregohet e frikshme, pavarësisht se e theksova edhe më herët, loja nuk është më e mira si ne presim, por Vllaznia po luan dhe merr maksimumin. Prandaj kjo është Vllaznia që të lë të shpresosh nëse do të vijojë me këtë ritëm.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL