ZENEPE GOLEMI ASHIKU (1922-2007)…

Share your love

Nga Zenepe Dibra

ZENEPE GOLEMI ASHIKU (1922-2007)

Vajza e pestë e Haxhi Abas Golemit,njërit prej klerikëve më të shquar muslimanë të qytetit të Shkodrës.Idealet e shëjta fetare të lidhura ngushtë me ato kombëtare, do të krijonin tek ky klerik,një karakter që do ta çfaqte në gjithë veprimtarinë edukative mësimore dhe patriotike.

Kur lindi kjo vajzë më 1922 dhe të gjithë u mërzitën në familje, sepse shtoi numurin e vajzave, Haxhi Hafiz Abaz Golemi,do ju thonte :”Ma lini mua këtë vajzë se kësaj do i jap shkollë dhe do ta shpëtoi”. I pajisur me një kulturë të gjërë për kohën,mbasi kishte kryer në Stamboll studimet e mesme dhe të larta për mësim fetar dhe pedagogjik,zotërues i arabishtes, turqishtes, frëngjishtes, italishtes dhe serbokroatishtes, e kishte kuptuar që arsimimi i popullit dhe veçanarisht i femrës, do të ishte shpëtimi i këtij kombi.Prandaj ai donte që kjo vajzë të arsimohej duke u rreshtuar në rradhën e vajzave të kulturuara dhe të emancipuara të kohës.Telepatia e tij(sepse ai s’do të jetonte shumë pas lindjes së saj),ishte e një parashikuesi të saktë sepse Zenepja do të tregonte një vullnet të jashtëzakonshëm për mësim dhe arsimim.

Mbasi kryen shkollën fillore në Shkodër,do të ishte ndër vajzat e para muslimane të Shkodrës që së bashku me Xhemalije Shkrelin,nga viti 1935-42, do të vazhdonte shkollën e mesme pedagogjike “Nana Mbretëreshë” në Tiranë.Bursën arrin ta fitoj vetë me përpjekjet e saj. Kjo shkollë do bëhej vendi i fillimit të aktivitetit të saj politik dhe patriotik ku fillojnë të zjejnë idetë e reja të kohës për komunizmin.Udhëheqësit e rinj komunistë, ditën të shfrytëzojnë momentin historik të pushtimit të vendit nga Italia fashiste,për ta thithur rininë në një situatë aq të prekëshme për ndjenjat e tyre rinore, të zjarrta, patriotike dhe atdhetare.

Zenepja do të ishte në atë kohë,në ballë të demostratës të nxënësve të këtij Instituti.Disa dhjetra të rinj dhe të reja të mbledhur para pallatit të Zogut kërkonin armë për të luftuar fashizmin dhe për të mbrojtur vendin.Merr pjesë në të gjitha demonstratat tjera dhe grevat e organizuara nga studentët.Mbasi mbaron institutin ,emërohet mësuese në Ulqin dhe mbas një viti kthehet në Shkodër më 1942,dhe si anëtare e Partisë komuniste zhvillon një aktivitet propagandistik dhe organizativ.

Veprimtaria e saj zbulohet sepse ishte e survejuar që nga Tirana,dhe për të mos rënë në dorë të armikut hidhet në ilegalitet,duke u njohur kështu si femra e parë ilegale në Shkodër.

Në mënyrë të veçantë Zenepja dallohet si aktiviste me vajzat dhe gratë në luftën kundër analfabetizmit,fanatizmit dhe prapambetjes shekullore të gruas në të gjitha fushat social – ekonomike, duke u bërë kështu një nga luftëtaret e luftës për zhvillim dhe emancipim të gruas në familje dhe shoqëri Puna ishte e lodhëshme, punë bindëse dhe edukuese për çrrënjosjen e shumë pikpamjeve dhe mentaliteteve të së kaluarës.Veçanarisht kurajoze dhe e vështirë ishte puna me gratë për heqjen e perçeve.

Duke folur për këtë punë mjaft mobilizuese,Zenepja thotë që aksionin e filluam me familjet tona dhe rrethin tonë shoqëror e më vonë me gratë e tjera ;së pari ja hoça perçen tre motrave të mija që më shërbej si shembull për të ecur më tej.Një punë shumë të mirë dhe të vlefshme sidomos për ambjentin shkodran ku dasitë fetare ngrinin krye aty këtu,ishin aktivitetet për të futur frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit midis vajzave dhe grave të dy besimeve për të cilat në atë kohë ekzistonte një vijë ndarje.Kështu , ishte e para që do të ftonte për vizita ,dreka dhe darka shumë shoqe katolike si dhe do të organizonte të tilla takime edhe në familje të shoqeve tjera shkodrane.Shembulli i saj qe i rrallë, sepse ajo ishte bijë kleriku musliman dhe me këto ndjenja të një shpirti human, paqedashës dhe shumë emancipues, do të linte një përshtypje të jashtëzakonshme në ambjentin social shkodran të mbushur në atë kohë me lloj, lloj kontradiktash ,paragjykimesh dhe trashigimish konservatore.
Në vitin 1943 zgjidhet anëtare e komitetit qarkor të Partisë,ku bën një punë të madhe me gratë dhe shoqet e rinisë.Në fillim të vitit 1944,është përgjegjëse e teknikës së grupit komunist të Shkodrës.Me një guxim të rrallë, më vonë, do të çante rrethimet e fashistëve nga shtëpitë e Shyqyri Haxhisë,Ahmet Lulit dhe Zija Dibrës.

Me pseudonimin “Flutura”, në tetorin e 1944, në mes të një terrori të madh,e maskuar me çarçaf shkon në Berat në “Kongresin e gruas antifashiste shqiptare” ku zgjidhet anëtare e “Këshillit të përgjithshëm të grave”.Pastaj duke ecur nepër male, nga Berati, shkon nëpërmes një udhëtimi të vështirë në Korçë për të marrë pjesë në “Kongresin e arsimtarëve” ku zgjidhet anëtare e Këshillit dhe anëtare e sekretariatit.Kur kthehet në nëntor të vitit 1944 ,Shkodrën e gjen të çliruar dhe ashtu e entuziazmuar për çlirimin e vendit do të fliste me pasion përkrah Tuk Jakovës, në një meting të madh të popullit të Shkodrës.

Mbas çlirimit është Kryetare e organizatës së gruas në rrethin e Shkodrës.Roli i saj qe shumë i rëndësishëm dhe aktiv për të organizuar kurset kundër analfabetizmit,për të edukuar tek gratë idetë e reja emancipuese,për të shkulur të vjetrën në mënyrën e jetesës dhe për të gjetur rrugët e ndërtimit të së resë.

Në vitin 1945,Zenepja martohet me Aurel Ashikun,farmacist i njohur në qytetin e Shkodrës,bir i një familje të vjetër katolike qytetare shkodrane.Martesa e saj për kohën dhe vendin si dhe për vetë familjen e Zenepes,qe një ngjarje që bëri bujë në këtë qytet ku raste të tilla qenë shumë të rralla, sidomos për familjen Golemi që i përkiste një kleriku të lartë musliman.Në shtëpinë time thotë Zenepja ra “bomba”. Aureli ishte katolik unë bijë e një kleriku të lartë musliman, Aureli kishte qenë i martuar dhe kishte një djalë, Mario Ashikun, artistin e njohur shkodrane, dhe unë isha vajzë. Por ajo duke kapërcyer këto paragjykime ,tashma një vajzë e pjekur, që kishte fituar një shkallë të lartë emancipimi,e vendosi dashurinë e saj në cilësitë morale, intelektin, kulturën e një burri siç qe Aurel Ashiku .Kjo lidhje do të përshkonte gjithë jetën e tyre të shoqëruar nga nderimi dhe admirimi për tu lartësuar në majat më të larta të dashurisë shpirtërore.Shpejt Aureli do bëhej dhëndri i kulturuar që e respektonte e gjithë familja dhe fisi Golemi.

Martesa u kurorëzua me nje dasëm madhështore,me pjesmarrjen e dy orkestrave, në lokalin e “Kafes madhe”,e para dasëm e bërë në lokale.Ajo nuk pati fëmijë por rriti me një përkushtim të veçantë fëmijët e Marios.

Në vitin 1956 në Konferencën e Tiranës,Zenepja do të rreshtohej me ato intelektualë që kishin vërejtje thelbësore për vijën e Enver Hoxhës, duke shprehur kundërshtitë ndaj veprimeve dhe rrugës së ndjekur prej tij.Për këto pikpamje ajo së bashku me shumë intelektualë të tjerë, internohet një vit në Fier,e vetme,larg familjes duke provuar vuajtjet e një përsekucioni të vështirë,mbas të cilit do provonte një zhgënjim të madh.”Asgjë-përfundon bisedën për jetën e vet Zenepja-nuk do më vinte më keq se për rininë time.Ato na vodhën,rininë,ndjenjat tona,të pastra për jetën,atdheun,dhe lumturinë”
Kur kam mbaruar biseden me Zenepe Golemin Ashikun , duke ditur veprimtarinë e saj antifashiste dhe emancipuese, si dhe luften që ajo bëri gjatë kësaj periudhë dhe si shpërblim do të merrte persekutimin , mu kujtuan vargjet e një poeti të Zagorisë së Gjirokastrës, Kiço Spiri që Musa Kurtulaj i kishte hedhur në FB:
Mora pushken dola malit
Të luftoja për atdhe
Ku ta dija unë i varfëri
Se armiku ishim ne
Mora pushken dola malit
Të luftoja për liri
Ku ta dija unë i shkreti
Se armiku ishe ti

Share your love