Zjarri në zyrën e mjekut, drejtori i spitalit të Shkodrës dhe shefi i Kirurgjisë: Situata nën kontroll, pacientët nuk pësuan lëndime, i kaluam në repartin tjetër…

Senad Halluni drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës ka folur për mediat pas ngjarjes së ndodhur në repartin e kirurgjisë ku mori flakë zyra e njërit prej mjekëve.

Ai tha se zjarrfikësit bënë transportin e pacientëve për në repartin tjetër dhe se fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ka pësuar lëndime.

“Zjarrfikësit kanë ardhur menjëherë, është bërë transportimi i pacientëve në pjesën tjetër të repartit. Nuk ka asnjë lëndim të të sëmurëve, kanë ardhur të gjithë mjekët e kirurgjisë dhe kanë kaluar në repartin tjetër”- tha Halluni.

Po ashtu edhe shefi i Kirurgjisë Gëzim Galiqi tha se në spital kishte numër të zakonshëm të pacientëve dhe fillimisht zjarrfikësit bënë zhvendosjen e tyre duke u siguruar se nuk kanë asnjë lëndim.

Ndërkohë të dy u shprehën se për shkaqet e zjarrit duhet të priten përfundimet e ekspertizës.