Zyrtare, Hipoteka e Shkodrës shkon në Tiranë…

Share your love

Ashtu siç paralajmëroi Star Plus në tetorin e vitit të kaluar, hipoteka e Shkodrës zyrtarisht tashmë është zhvendosur drejt Tiranës. Me një vendim të datës 3 janar të këtij viti të drejtorisë së përgjithshmë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është urdhëruar zhvendosja e hipotekës së Shkodrës dhe të Vlorës në mjediset e një godine në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Këtë lëvizje Star Plus e paralajmëroi për qytetarët e Shkodrës pasi normalisht nuk është aspak e mirë. Mbyllja e Agjencisë së Kadastrës në Shkodër duke shkuar drejt kryeqytetit nuk është asgjë më shumë përveçse një sorollatje dhe lodhje edhe më e madhe për shkodranët të cilët prej 30 vitesh enden nepër këto zyra për të marrë pronat e tyre ose për t’i legalizuar.

Kjo zhvendosje i mbyll dyert shumë të gjithë atyre që ende nuk kanë përfunduar paisjen me certifikata pronësie për shkak të vonesave të stërzgjatura dhe problemeve të mbartura ndër vite që hipoteka e Shkodrës deri më tani duhej që t’i kishte zgjidhur. Duke shtuar edhe këtë zhvendosje drejt Tiranës gjithçka bëhet më e vështirë për qytetarët dhe bizneset të cilët tashmë do ta kenë më larg këtë institucion. Kjo shton edhe kostot për qytetarët edhe pse një pjesë e shërbimeve janë kthyer online përmes e-albania. Zhvendosja e këtyre institucioneve të rëndësishme nga Shkodra drejt qyteteve të tjera zvogëlon automatikisht peshën e kryeqendrës së veriut. Ky emigrim institucionesh ka nisur prej vitesh dhe tashmë radhën e ka hipoteka e Shkodrës që do i ketë zyrat në kryeqytet. Ndërkohë pas kësaj zhvendsoje ka reaguar anëtari i opozitës “Bashkë Fitojmë” në Këshillin Bashkiak të Shkodrës Florjan Bjanku i cili shkruan:

“Ky institucion kaq i rëndësishëm sa i takon shërbimeve ndaj qytetarëve, transferohet në Tiranë, pasi më parë janë hequr nga ky qytet drejtoritë e Arsimit, Shërbimit Informativ, Arkivave, Bordit të Kullimit dhe Agjencisë të Ujërave, si dhe për më tepër, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Administrative. Gjithnjë e më tepër Shkodra po merr trajtën e një vendi që shkohet për tavën e krapit në Shirokë, për të vizituar kalanë e alpet dhe për të bërë një xhiro me biçikletë në pedonale.

Shkodra si qendra me e rëndësishme rajonale, administrative, ekonomike dhe universitare po zbehet çdo ditë. Vizioni është ta kthejmë Shkodrën që historikisht ka qenë vendi i tregtisë, i intelektualëve, i artistëve, i politikanëve dhe shtetarëve, në një qytet të qetë ku mund të kalohet thjesht fundjava nga ata që vijnë të lodhur nga java intensive e kryeqytetit, duke e lënë pa asnjë rol dhe ndikim në zhvillimin ekonomik, politik, arsimor dhe kulturor në rang kombëtar. Thënë thjesht në një provincë”, përfundon Bjanku.

Share your love