DEKLARATË E UNIONIT TË GAZETARËVE PROFESIONISTË TË VERIUT…

DEKLARATË E UNIONIT TË GAZETARËVE PROFESIONISTË TË VERIUT

Zoti Bushati, përdore sërish celularin dhe kërkoji falje kolegut tonë Ergys Kavaja!

Ne jemi të prirur ti besojmë kolegut tonë Ergys Kavaja! Nuk kemi asnjë arsye të vëmë në dyshim denoncimin e tij për z. Helidon Bushati, i sapozgjedhur deputet i Qarkut të Shkodrës për PD- në dhe drejtues politik i fushatës elektorale.

Është e pafalshme, qoftë edhe nën trysninë e një rezultati të pakënaqshëm në zgjedhjet e 25 prillit, që një politikan jo pa përvojë dhe me një pozicion shumë të rëndësishëm, të kërcënojë, fyejë dhe denigrojë qoftë edhe përmes celularit një gazetar.

E drejta e fjalës, e shprehjes së opinionit, është e shenjtë. Data 3 maj e çdo viti, prej 30 vitesh, e shpallur ndërkombëtarisht si Dita Botërore e Lirisë së Medias, na e rikujtoi dy ditë më parë. Edhe pse ne shqiptarët krenohemi me lirinë e shprehjes edhe para shumë shekujsh në Kanun me “lajmësi nuk preket”, është detyrim respektimi i opinionit apo mendimit ndryshe të kujtdo, aq më shumë, një gazetari.

Bota e qytetëruar, jo më kot e ka konsideruar median si pushteti i katërt, pas atij ekzekutiv, gjyqësot dhe legjislativ. Ashtu siç ju dhe kolegët tuaj, përpiqeni të respektoni ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve nga njëri- tjetri, ke edhe ti detyrimin dyfish- edhe si i zgjedhur i Shkodrës, ta respektosh median dhe gazetarët në pavarësinë e tyre.

Vetëm një javë më parë, përmes mediave e portaleve, njëri prej të cilëve edhe ai i Ergysit, ti munde të komunikosh me mijëra qytetarë brenda e jashtë Shkodrës. Pa ndihmën e mediave, do ta kishte të pamundur.

Zoti Bushati, merre sërish në dorë celularin dhe përdore. Kësaj here për ti kërkuar falje kolegut tonë Ergys Kavaja. Çdokush në një moment të caktuar, mund të dalë edhe jashtë vetes, jashtë natyrës së tij. Por në këtë botë fatmirësisht ekziston edhe ndjesa, kërkesa e faljes. Jemi të bindur se Ergys Kavaja do ta pranojë ndjesën tënde.

UNIONI I GAZETARËVE PROFESIONISTË TË VERIUT