KESH merr iniciativën për pastrimin e liqenëve të Fierzës dhe Komanit…

Me fillimin e sezonit të reshjeve dhe shtimin e prurjeve te ujit në liqenet e Fierzës dhe Komanit, çdo vit në këtë periudhë kemi dhe shtimin e mbetjeve të cilat depozitohen në këto liqene si pasojë e prurjeve nga lumenjtë e përrenjtë.

Periodikisht stafi i KESH në këto Hec-e ka ndermarrë iniciativën që me mjetet dhe burimet e disponueshme të bejë pastrimin, përpunimin dhe depozitimin e mbetjeve, si atyre të ngurta e drusore, por edhe mbetjeve të konsumit qe vijnë si rezultat i aktivitetit ekonomik-turistik në ato zona si dhe nga papërgjegjshmëria e një pjese të vizitorëve apo dhe banorëve për gjatë rrjedhës së lumenjve.

Ndonëse pastrimi i ujrave të liqenit nuk është përgjegjësi ligjore e drejtpërdrejtë e KESH, por është përgjegjësi morale dhe sociale e Korporatës, si aktori kryesor i zhvillimit ekonomik të komuniteteve në këto zona, me këtë nisëm duam të tregojmë që e duam mjedisin, do ta mbrojmë atë me të gjitha kapacitetet tona, sepse ne besojmë fort që një mjedis i pastër duhet më shumë nga të gjithë, është më atratkiv, sjell zhvillim të turizmit dhe të ekonomisë për të gjithë familjet dhe operatoret e komunitetit tonë.

Ndaj me këtë nismë sot duam të japim mesazhin që KESH është në çdo kohë i gatshëm të bashkëpunojë me bashkitë përgjegjëse si dhe të rrisi ndërgjegjësimin e banorëve e vizitorve të këtyre mrekullive që natyra na ka falur.