Manja: Brenda vitit i propozojmë parlamentit amnisti penale…

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja bëri të ditur sot se gjatë këtij viti do t’i propozohet parlamentit miratimi i amnistisë penale.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi mbi analizën vjetore të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë, Manja u ndal te fenomeni i mbipopullimit të sistemit të burgjeve.

Manja theksoi se është fakt se për herë të parë në sistemin e burgjeve numri i të paraburgosurve tejkalon numrin e të dënuarve.

Sipas tij, kjo është një çështje që i përket sistemit gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë vetëm mund të rekomandojë aplikimin e masave të sigurimit dhe alternativave të dënimit për vepra penale të lehta.

“Amnistia penale është një mekanizëm, por qëllimi i saj nuk është domosdoshmërisht ulja e mbipopullimit në sistemin e burgjeve. Padyshim që është një mekanizëm që ne na shërben për të ulur mbipopullimin në burgje. Ndaj për vitin 2023 në objektivat tona është t’i propozojmë parlamentit shqiptar miratimin e një amnistie penale”, tha ai.