Rama reagon për vrasjen e n/komisarit: Mbështetje për fëmijët që mos të ndihen vetëm, por krenarë për babain

Në reagimin e parë për ngjarjen e rëndë të ndodhur të martën, ku mbeti i vrarë nënkomisari Saimir Hoxha, kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet e tij familjes së 44-vjeçarit. Ai tha se qeveria kishte vendosur mbështetje për familjen e tij dhe po ashtu theksoi se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, fëmijët e tij do të marrin 170 përqind të pagës së nënkomisarit deri kur të arrijnë në moshë madhore. Kjo tha Kryeministri bëhet në mënyrë që fëmijët e dëshmorëve të mos ndihen vetëm.

Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të Policisë së Shtetit, patjetër edhe për shoqërinë dhe për shtetin, por mbi të gjitha për familjen. Duke i shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes, duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera, të gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë dëshmor të ri të atdheut dhe të gjithë punonjësve të policisë e shoh të udhës të bëj me dije se qeveria sot ka vendosur një mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen, por njëkohësisht me të hyrë në fuqi ligji i përcjellë në parlament pas mbledhjes së parë të qeverisë për fëmijët nën kujdesin e Republikës, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë. Nuk ka fonde dhe nuk ka mbështetje materiale që kompenson boshllëkun për familjen, por detyra e shtetit dhe përgjegjësia e Republikës është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës mos të ndihen vetëm, por të ndihen deri në fund të mbështetur, të përkrahur dhe të inkurajuar për të hyrë në rrugën e jetës së tyre duke qenë krenar jo vetëm për prindin, por edhe për shtetin që babai i shërbeu deri në momentet e fundit të jetës”, tha Rama.