U dhunua barbarisht nga dy persona, flet Edmir Përndreca: Goditja erdhi për shkak të detyrës, nuk tërhiqem nga puna!

Drejtori i OSHEE në Lezhë Edmir Përndreca ka folur lidhur me dhunimin që i bënë Leonard Pepa dhe Sebastiano Malotaj, ku tha se ishte hera e parë që i shihte dhe pretendon se gjithçka erdhi për shkak të detyrës.

Në një komunikim për media, u shpreh se nuk i kishte ndodhur asnjëherë të përballej me situata kaq ekstreme, por thekson se puna e tij do të vijojë pa pengesa.

“Goditja është për shkak të detyrës se nuk kam pasur probleme të tjera dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër dhe duke pretenduar gjithmonë që me treguesit kemi arritur në nivelet maksimale. Normale që prishen interesa dhe ndodh edhe kjo, qoftë edhe lëvizje punonjësish që prishin interesa dhe për ato. Jemi rikthyer në punë pa u tërhequr në asnjë moment për të zbatuar ligjin dhe për të bërë detyrën sepse prandaj jemi këtu. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me 2 të akuzuarit, nuk i kam njohur.

Besimin e kam të plotë që do të flasë vetëm ligji përderisa ka marrë një rrugë tjetër dhe nuk besoj se do të marrë rrugë tjetër. Nuk ka pasur incidente të kësaj natyre, është diçka ekstreme se nuk mund t’i dalësh një zyrtari kështu. Ka zyrë e komunikim, por jo rrugëve. Këto veprime nuk do të më pengojnë në punë. Do vijoj si më parë dhe me ritme më të shpejta për ta çuar arritjen e treguesve dhe perspektivat e mia deri në nivelet maksimale për sa kohë të jem në këtë detyrë”, tha Përndreca.

Sot Gjykata e Lezhës ka lënë në burg shtetasit Leonard Pepa dhe Sebastiano Malotaj, të cilët në bashkëpunim mes tyre kanë goditur Drejtorin e OSHEE Lezhë, Edmir Përndreca duke e plagosur.

Malotaj dhe Pepa akuzohen për plagosje të rëndë me dashje dhe goditje për shkak të detyrës. Dy të akuzuarit nuk e kanë pranuar autorësinë e ngjarjes.