17 shpërthime me tritol në 2022, Shkodra mban vendin e parë…

Dy shpërthimet me lëndë plasëse të regjistruara në 24 orët e fundit në Kavajë e Durrës e kanë çuar në 17 numrin e vendosjes së tritolit në 2022.

Në 4 prej tyre objektiv kanë qenë automjetet apo objektet në pronësi të punonjësve të policisë. Konkretisht 2 raste në qytetin e Shkodrës si dhe nga një rast në Durrës e Tiranë.

Shkodra është qyteti që ka shënuar numrin me te madhe të shpërthimeve me tritol, 5 të tilla, e ndjekur nga Tirana e Durrësi me nga 4 raste, Vlora me 3 dhe 1 rast në Pogradec.

Fatmirësisht nga shpërthimet janë regjistruar vetëm  dëme materiale e jo në njerëz.

Rastet e regjistruara të shkatërrimit të pronës me eksploziv në 5 muajt e parë të këtij viti janë kthyer në një shqetësim për autoritetet nisur dhe nga vështirësia që kanë këto ngjarje për tu zbardhur.